Pre. Nën 16th, 2018

“100 fshatrat +”- Margariti: Të krijojmë së bashku modelet e zhvillimit të këtyre fshatrave

TIRANË, 14 shtator.- Programi Kombëtar i Qeverisë “100 fshatrat”, ka nisur tashmë për t’u bërë një realitet në mbështetje të zhvillimit të ekonomisë rurale në të paktën 100 fshatra, të cilat do të jenë pjesë e një programi 4-vjeçar.

Koordinatorja Kombëtare e Programit “100 fshatrat” Elda Margariti, u shpreh sot në workshopin e parë të akademisë “100 Fshatrat+”, se “100 fshatrat janë 100 potenciale zhvillimi, por nuk janë 110 ishuj të veçuar. Ju e keni parë që në grupimin e këtyre fshatrave kemi bërë një lidhje jo vetëm rastësore dhe gjeografike, siç e keni vënë re dhe ju në kohën që keni kaluar në fshatra, por ka ka qenë një lidhje edhe një sinergji që është krijuar nëpërmjet karakteristikave, të cilat kanë këto fshatra”.

“Ne bëjmë këtë lidhje me universitetet, studentët, ekspertë të fushave të ndryshme, sepse besojmë se kjo nuk është një punë që mund të bëhet vetëm nga qeveria, ministritë apo ekspertët e administratave”, tha Margariti.

Sipas saj, është e rëndësishme që të krijojmë së bashku modelet e zhvillimit të këtyre fshatrave.

Koordinatorja Margariti u shpreh se “për krijimin e këtyre modeleve zhvillimi kuptohet që të gjithë së bashku duhet të kemi një vizion, këtë vizion duhet ta diskutojmë , ta rindërtojmë, të rishikojmë pjesët që kanë më vlerë ose më pak vlerë nga vizioni fillestar. Ky është një proces që hap pas hapi mund të ndryshojë”.

Përfundimi i ndryshimit, vijoi ajo, është që të jetë produkti sa më ideal dhe i përshtatshëm për fshatrat.

“Duhet të konkretizohemi çfarë duhet të bëjmë konkretisht. Këto dy javë që ju keni qenë në terren ne ju kemi ndjekur dhe jam e bindur që këto javë nuk u kanë shërbyer vetëm se çfarë janë potencialet e këtyre fshatrave, por i shërben edhe vetë banorëve, që të kuptojnë vizionin e fshatrave të tyre”, nënvizoi Margariti.

Margariti theksoi se “nuk është rastësi që ky program të zhvillohet në ndërlidhje të disa ministrive , bashkëveprimi në këtë program është së bashku me ministritë e Energjisë, të Kulturës, Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, si dhe të Turizmit dhe Mjedisit”.

Duke vlerësuar edhe ndihmën e madhe të organizmit dhe zbatimit të Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, Margariti u shpreh se “kjo është një nismë për t’u përgëzuar”.

“Ju keni pasur një rol kyç ne jemi këtu për të diskutuar gjetjet e para, ne do t’ju mbështesim në vazhdim të procesit . Ky është një proces që ndërthur aktorë të tjerë. Unë jam besimplotë se kjo është formula e duhur për të arritur në një konkluzion për komunitetet”, përfundoi Margariti./k.s/ /a.g/

Kategori