“`html
109 persona të ndaluar për manipulim votash në Kosovë
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, njoftoi të premten se 109 persona janë ndaluar për 48 orë nën dyshimet për keqpërdorim të votave gjatë zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit.
Autoritetet thanë se të ndaluarit janë kryesisht komisionerë zgjedhorë, përfshirë edhe familjarë të kandidatëve për deputetë. Ata dyshohen për falsifikim të rezultateve zgjedhore, ushtrim presioni, kanosje, si dhe dhënie e marrje ryshfeti.
Gjatë një konference për media, Kryeziu theksoi se manipulimi ka ndodhur në Qendrën Komunale të Numërimit dhe ka prekur votat e kandidatëve për deputetë. Ai shtoi se një manipulim i tillë nuk do të ishte i mundur pa një kompromis mes komisionerëve të katër partive më të mëdha politike, pasi komisionerët shërbejnë si mekanizëm kontrollues.
“Do të ishte e pamundur të ndryshoheshin të gjithë këto vota po të mos kishte kompromis të gjithë komisionerëve, atyre që kanë qenë të deleguar nga katër partitë politike më të mëdha në Kosovë sepse sistemi është i tillë që komisionerët në një mënyrë janë mekanizëm kontrollues,” tha Kryeziu.
Sipas tij, vetëm një vendvotim apo një klasë ka rezultuar pa vota të keqpërdorura, ndërsa numri i votave të falsifikuara për një kandidat ka arritur në mbi 6.000.
“Po flasim për komunën e Prizrenit që janë shtuar hiç më pak se 40.497 vota dhe janë hequr hiç më pak se 27.520 vota. Pra, diferenca totale e keqpërdorimeve është 68.017 vota,” tha Kryeziu.
Prokuroria bëri të ditur se tashmë ka edhe komisionerë që bashkëpunojnë me ta dhe u kanë treguar autoriteteve se si kanë ardhur presionet dhe kush ka dhënë ryshfet.
Në këtë rast, asnjë kandidat për deputet nuk është intervistuar, pasi Prokuroria në Prizren deklaroi se nuk posedon prova ndaj tyre. Megjithatë, ata mund të ftohen në cilësinë e të dëmtuarve, sipas kryeprokurorit Kryeziu.
Policia e Kosovës e cilësoi këtë si një nga aksionet më të mëdha të realizuara dhe me numrin më të madh të të ndaluarve në rajonin e Prizrenit. Për shkak të numrit të lartë të të ndaluarve, disa prej tyre janë dërguar në qendrat e ndalimit në Prishtinë.
Ky aksion vjen pas dyshimeve për manipulime të mëdha me vota, veçanërisht brenda subjekteve politike, në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit. Këto dyshime detyruan Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) të fillojë rinumërimin e plotë të votave, proces ky që ka zgjatur disa ditë.
Në fillim të muajit, KQZ gjeti mospërputhje në votat për kandidatët pas një hetimi fillestar. Gjatë rinumërimit të pjesshëm, u zbuluan dallime të mëdha në vota, duke nxitur prokurorët të mbledhin të dhëna lidhur me dyshimet për manipulime. Si pasojë, KQZ shkarkoi përfaqësuesit politikë në komisionin e vet komunal në Prizren.
Në Kosovë, manipulimi i votave është vepër penale e dënueshme me burgim. Megjithatë, së fundmi, organizata joqeveritare ÇOHU publikoi një hulumtim ku tregohet se mbi 90% e rasteve për manipulime zgjedhore përfundojnë me dënime me kusht ose gjoba.
Shumica e kandidatëve për deputetë, të cilëve u janë hequr më së shumti vota gjatë rinumërimit, kanë mohuar të kenë qenë të përfshirë në keqpërdorime dhe kanë dënuar këtë dukuri.
Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit në detyrë Albin Kurti, fitoi zgjedhjet e 28 dhjetorit me mbi 51% të votave dhe pritet të ketë 57 ulëse në legjislaturën e dhjetë. Megjithatë, procesi i rinumërimit, i cili nuk pritet të ketë ndikim tek votat e partive, mund të zvarrisë formimin e qeverisë së re.
“`
