Gjendet i pajetë në banesë 19-vjeçari shqiptar në Itali; shkaqet mister
Një tragjedi e papritur ka ndodhur në fshatin e vogël italian Masotti, në Serravalle Pistoiese. 19-vjeçari me origjinë shqiptare, Flavio Saraçi, u gjet i pajetë në dhomën e tij nga vëllai 10-vjeçar pasditen e së premtes.
Mediat italiane raportojnë se dyshohet se një sëmundje e papritur i ka marrë jetën të riut shqiptar, i cili përshkruhet nga të gjithë si person i shëndetshëm, atletik dhe pa probleme shëndetësore.
Pak pas orës 18:00 të mbrëmjes, vëllai i Flavios, duke hyrë në dhomë, vuri re se diçka nuk shkonte. Sipas informacioneve, djali ishte i palëvizshëm dhe nuk kthente përgjigje. Menjëherë u thirrën shërbimet e urgjencës, të cilat e transportuan të riun në spitalin “San Jacopo” në Pistoia. Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve për ta rikthyer në jetë, nuk pati sukses.
Lajmi i vdekjes tronditi familjen, e cila nxitoi drejt spitalit, e shokuar nga një tragjedi kaq e papritur. Flavio Saraci ishte pjesë e një familjeje me origjinë shqiptare, e cila lindi dhe u rrit në Serravalle Pistoiese. Ai ndoqi Shkollën e Mesme Shkencore Filippo Pacini në Pistoia, në degën Shkenca të Aplikuara, duke u diplomuar vitin e kaluar.
Miqtë e kujtojnë si një djalë atletik, të sjellshëm dhe të rezervuar, me një pasion për sportin dhe palestrën. Askush nuk mund ta imagjinonte se një sëmundje do ta merrte kaq shpejt.
Trupi i të riut ndodhet në Spitalin San Jacopo, ku mjekët po shqyrtojnë mundësinë e një autopsie për të përcaktuar shkakun e vdekjes. Një ndjenjë e thellë zhgënjimi dhe mosbesimi është përhapur mes të rinjve të zonës dhe komunitetit lokal shqiptar.
