2025: Viti i Lamtumirave të Mëdha në Shqipëri

2025, viti i lamtumirave të mëdha

Gjatë vitit 2025, Shqipëria humbi disa nga personalitetet e saj më të shquara në fushën e politikës, gazetarisë, artit dhe kulturës. Këto figura, me punën dhe pasionin e tyre, kanë formësuar aspekte të shumta të jetës publike dhe do të kujtohen gjithmonë për veprën e lënë pas.

Në janar të vitit 2025 u nda nga jeta Kryepeshkopi Anastas Janullatos, në moshën 95-vjeçare. Ai la pas një trashëgimi të fuqishme fetare dhe shoqërore, me ndikim brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Viti 2025 ishte veçanërisht i trishtë për artin shqiptar. Në prill të këtij viti, u nda nga jeta ikona e kinematografisë shqiptare, Margarita Xhepa. Aktorja, me mbi 150 role në teatër dhe dhjetëra në film, ishte një nga figurat më të spikatura të teatrit dhe kinematografisë shqiptare.

Më 1 shtator, Shqipëria humbi një nga regjisorët më të shquar të kinematografisë së saj, Dhimitër Anagnosti. Ai konsiderohet si një nga regjisorët që shkroi historinë e artit shqiptar me gërma të arta. Gjatë karrierës së tij 40-vjeçare, Anagnosti numëron 15 skenarë, 14 filma artistikë, 10 dokumentarë dhe disa çmime kombëtare e ndërkombëtare.

Edhe për gazetarinë, 2025 ishte një vit i trishtë, me ndarjen parakohe nga jeta të gazetarit të njohur Artur Zheji. Ai ishte një figurë e rëndësishme në fushën e gazetarisë dhe analizës politike, duke pasur një ndikim të madh në formimin e mendimit publik.

Në vitin që lamë pas, për shkak të problemeve shëndetësore, humbën jetën edhe dy figura të spikatura: ish-deputeti Andis Harasani dhe publicisti e historiani Artan Lame.

Në tetor të këtij viti, u nda nga jeta ish-kryeministri i vendit, Fatos Nano. Ai do të kujtohet si një figurë me ndikim dhe, për disa, kontroverse. Pavarësisht mbështetësve dhe kritikëve, ai luajti një rol kyç në tranzicionin politik të Shqipërisë.

Viti mbyllet me një tjetër humbje të rëndësishme, atë të këngëtarit të njohur Shpat Kasapi, i cili vdiq në moshën 40-vjeçare më 26 nëntor, pas një arresti kardiak. Kasapi ishte një artist i dashur nga publiku shqiptar dhe humbja e tij la një boshllëk të ndjeshëm në muzikën shqiptare.

Scroll to Top