Tre shtetas kinezë u vranë në një sulm pranë kufirit Taxhikistan-Afganistan.
Tre shtetas kinezë, të cilët punonin në Taxhikistan, humbën jetën në një sulm të ndodhur pranë kufirit me Afganistanin, siç njoftuan të enjten autoritetet e vendit të Azisë Qendrore. Marrëdhëniet e Taxhikistanit me talebanët janë aktualisht jashtëzakonisht të tensionuara.
Ministria e Jashtme e Taxhikistanit deklaroi: “Gjatë natës së 26 nëntorit, u krye një sulm që synonte punonjësit e kompanisë ‘Shohin SM’ në rajonin Khatlon (jug).” Kompania në fjalë është e specializuar në minierat e arit.
Sulmi, i cili u krye “me armë zjarri dhe një dron të mbushur me granata, mori jetën e tre punëtorëve kinezë”, thuhet në deklaratë, duke mos specifikuar identitetin e autorëve.
Ministria e Jashtme e Taxhikistanit u bën thirrje “autoriteteve afgane të marrin masa efektive për të garantuar stabilitetin dhe sigurinë në të dy vendet”, të cilat ndajnë një kufi rreth 1,350 kilometra të gjatë.
Një incident i ngjashëm ka ndodhur edhe një vit më parë, në nëntor 2024, kur një burrë kinez u vra jo shumë larg kufirit Taxhik-Afgan.
Kompanitë kineze që operojnë në Taxhikistan janë veçanërisht aktive në eksplorimin e burimeve natyrore, të cilat janë të shumta në zonat malore të vendit.
Presidenti i Taxhikistanit, Emomali Rahmon, i cili është në pushtet që nga viti 1992, ka qenë një kritik i hapur i talebanëve, ndryshe nga shumica e liderëve të tjerë të Azisë Qendrore. Ai ka kërkuar vazhdimisht respektimin e të drejtave të komunitetit taxhik në Afganistan, të cilët vlerësohet se përbëjnë rreth një të katërtën e popullsisë së përgjithshme prej afro 40 milionë banorësh.
Megjithatë, pas rikthimit të talebanëve në pushtet në vitin 2021, Dushanbe duket se ka adoptuar një qasje bashkëpunimi në disa fusha. Për shembull, ka ofruar energji elektrike për Kabulin dhe ka hapur tregje në zonat kufitare.
Diplomacia taxhike ka kritikuar publikisht se “grupet kriminale që veprojnë në vendin fqinj vazhdojnë të kryejnë veprime që synojnë destabilizimin (…) pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të bëra” nga Dushanbe për të “ruajtur sigurinë dhe për të krijuar një klimë bashkëpunimi të dobishëm reciprokisht në zonat kufitare”.
Në muajt e fundit, janë raportuar përleshje në kufi, të cilat rrallë janë komentuar zyrtarisht, si dhe takime mes zyrtarëve taxhikë dhe qeverisë de facto talibane, sipas raporteve të medias.
Aktivitetet e anëtarëve të organizatave xhihadiste, kryesisht Jamaat Ansarullah dhe Shtetit Islamik në Khorasan (ISK), në zonat malore pranë kufirit, përbëjnë një shqetësim të madh për Dushanben.
