33 Arrestime për Skandalin e Mbetjeve, Prokuroria Durrës Njofton

33 masa arresti për skandalin e mbetjeve; njoftim zyrtar nga Prokuroria e Durrësit

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës informon opinionin publik se ka kryer dhe vijon të kryejë veprime hetimore në kuadër të procedimit penal Nr.1596, viti 2024. Ky procedim është regjistruar për veprat penale të mëposhtme:

  • “Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara”
  • “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”
  • “Falsifikimi i dokumentave”
  • “Transportimi i mbetjeve”
  • “Menaxhimi i mbetjeve”
  • “Shpërdorimi i detyrës”
  • “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”

Këto vepra penale parashikohen nga nenet 171-25, 175-25, 186/2, 201/a-25, 201/b-25, 248 dhe 287/2 të Kodit Penal.

Hetimet nisën pas marrjes së njoftimit nga Drejtoria e Hetimit Doganor, e cila, më datë 25.07.2024, u informua nga OLAF (European Anti-Fraud Office-European Commission) për një ngarkesë që dyshohej se mund të transportonte mbetje nga Shqipëria në Tajlandë.

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe OLAF bashkëpunuan për identifikimin dhe verifikimin e ngarkesës, duke evidentuar eksportimin e një sasie prej 2.816.300 kg nga subjekti “Sokolaj” sh.p.k. Kjo sasi, e ngarkuar në 102 kontenierë, u kthye në Portin e Durrësit më datë 28.10.2024 me anijen “Moliva XA443A”, pasi ishte refuzuar nga autoritetet e Tajlandës.

Më datë 08.11.2024, u krye sekuestrimi i 102 kontenierëve si provë materiale. Ata u lanë në ruajtje dhe administrim Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara dhe aktualisht ndodhen në Porto Romano, Durrës, me kushte sigurie mjedisore dhe fizike.

Gjatë procesit të sekuestrimit, kontenierët iu nënshtruan testit për radioaktivitet. Nga skanimi nuk u konstatua prania e lëndës radioaktive GAMA apo NEUTRON.

Me qëllim marrjen e mostrave për ekspertim dhe analizave laboratorike, Prokuroria e Durrësit iu drejtua të gjitha ministrive dhe institucioneve brenda territorit shqiptar. Megjithatë, nga përgjigjet e administruara, nuk rezultoi asnjë institucion, laborator apo ent që të dispononte infrastrukturën dhe mjetet e nevojshme.

Në vijim, në bashkëpunim me autoritetet italiane, projektin EU4LEA dhe ekspertë italianë të sigurisë, u identifikua dhe verifikua një laborator në Itali që kreu testimet laboratorike. Gjithashtu, u angazhuan dy shoqëri shqiptare dhe një ekspert shqiptar i fushës, të cilët plotësonin kriteret e përgjithshme dhe specifike sipas protokolleve ndërkombëtare për trajtimin e mostrave potencialisht të rrezikshme.

Mostrat e marra nga 102 kontenierët e sekuestruar, si dhe ato nga shoqëritë “Kurum International” sh.a., “Sokolaj” sh.p.k. dhe “Alliance Resource” sh.p.k., iu nënshtruan ekspertimit për përbërjen kimike, karakteristikat fizike, klasifikimin, përputhshmërinë me dokumentacionin e paraqitur dhe rrezikshmërinë për shëndetin e njeriut dhe mjedisin.

Aktet e ekspertimit rezultuan se materiali i analizuar është pluhur i grumbulluar nga sistemet e filtrimit të gazrave të furrës elektrike të çelikut (Electric Arc Furnace – EAF). Ky proces përfshihet në fushëveprimin e nënkapitullit 10 02 të EWC. Bazuar në përbërjen kimike dhe aktivizimin e vetive të rrezikut HP10 dhe HP14, në përputhje me Annex III të Direktives 2008/98/EC (Waste Framework Directive), kodi përkatës duhet të jetë ai i shënuar si mbetje e rrezikshme me kod 10 02 07*.

Në mostrat e marra nga kontenierët e sekuestruar, si dhe nga shoqëritë “Kurum International” sh.a. dhe “Alliance Resource”, konstatohet prania e elementëve që përbëjnë rrezik për shëndetin e njeriut dhe mjedisin, duke lidhur rrezikun me toksicitetin për riprodhimin dhe ekotoksicitetin, veçanërisht ndaj ekosistemeve ujore. Në përputhje me legjislacionin europian dhe kombëtar, materiali duhet t’i nënshtrohet rikuperimit të kontrolluar, stabilizimit dhe trajtimit të përshtatshëm para depozitimit përfundimtar.

Analiza e kontratave, dokumentacionit financiar, regjistrave mjedisorë dhe akteve të ekspertimit provon në mënyrë të arsyeshme se prodhuesi i mbetjeve të rrezikshme, “Kurum International” sh.a., në dijeni të plotë të ndalimeve ligjore kombëtare dhe ndërkombëtare, ka kryer veprime në bashkëpunim me subjekte të tjera për të mbuluar natyrën e vërtetë të mbetjeve, duke i eksportuar jashtë Shqipërisë dhe duke i tregtuar ato brenda territorit shqiptar.

Pas administrimit të aktit të ekspertimit që provon se mbetjet janë të rrezikshme dhe toksike, Prokuroria Durrës krijoi bindjen e plotë se jemi përpara një zinxhiri veprimesh të kundërligjshme me pasoja të rënda për mjedisin, shëndetin, veprimtarinë doganore, sigurinë mjedisore dhe konkurrencën ekonomike.

Për të garantuar efikasitetin e procedimit, vërtetësinë e provave, shmangien e largimit të personave nën hetim dhe parandalimin e veprave të mëtejshme, si dhe për të zbuluar të gjitha shkeljet në mundësimin e eksportimit apo fshehjes së sasisë reale të mbetjeve të krijuara nga shoqëria “Kurum International” sh.a., Prokuroria Durrës kërkoi në gjykatë caktimin e masave të sigurimit personal me karakter shtrëngues për shtetasit:

  1. E.D., shtetas turk, administrator i shoqërisë “Kurum International” sh.a., me masë sigurimi “Arrest me burg”, i dyshuar për veprat penale “Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara”, “Transporti i mbetjeve”, “Menaxhimi i mbetjeve”, “Falsifikimi i dokumenteve” (në dy raste) dhe “Pastrimi i produkteve të veprimtarisë kriminale”.
  2. Y.S.K., shtetas turk, përfaqësues me prokurë i administratorit të shoqërisë “Kurum International” sh.a., me masë sigurimi “Arrest me burg”, i dyshuar për veprat penale “Menaxhimi i mbetjeve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprimtarisë kriminale”.
  3. M.I., drejtor transporti i shoqërisë “Kurum International” sh.a., me masë sigurimi “Arrest me burg”, i dyshuar për veprën penale “Transporti i mbetjeve”.
  4. R.B., drejtor mjedisi i shoqërisë “Kurum International” sh.a., me masë sigurimi “Arrest me burg”, i dyshuar për veprat penale “Kontrabanda me mallra të ndaluar apo të kufizuara” dhe “Menaxhimi i mbetjeve”.
  5. H.S., shtetas turk, drejtor prodhimi çeliku i shoqërisë “Kurum International” sh.a., me masë sigurimi “Arrest me burg”, i dyshuar për veprën penale “Menaxhimi i mbetjeve”.
  6. A.Sh., përfaqësues me prokurë i administratorit të shoqërisë “Kurum International” sh.a. dhe drejtor finance, me masë sigurimi “Arrest me burg”, i dyshuar për veprat penale “Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara”, “Menaxhimi i mbetjeve”, “Falsifikimi i dokumentave” dhe “Pastrimi i produkteve të veprimtarisë kriminale”.
  7. Sh.H., drejtor i shitjeve i shoqërisë “Kurum International” sh.a., me masë sigurimi “Arrest me burg”, i dyshuar për veprën penale “Kontrabanda me mallra të ndaluar apo të kufizuara” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.
  8. M.Z., kontabiliste e shoqërisë “Kurum International” sh.a., me masë sigurimi “Arrest në shtëpi”, e dyshuar për veprat penale “Falsifikimi i dokumentave” dhe “Pastrimi i produkteve të veprimtarisë kriminale”.
  9. Gj.S., administratore e shoqërisë “Sokolaj” sh.p.k., me masë sigurimi “Arrest me burg”, e dyshuar për veprat penale “Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprimtarisë kriminale”.
  10. D.S., përfaqësues i shoqërisë “GS Minerals” d.o.o., me masë sigurimi “Arrest me burg”, i dyshuar për veprat penale “Kontrabanda me mallra të ndaluar apo të kufizuara”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
  11. O.P., administratore e shoqërisë “Sokolaj” sh.p.k., me masë sigurimi “Arrest me burg”, e dyshuar për veprat penale “Kontrabanda me mallra të ndaluar apo të kufizuara” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
  12. M.K., administratore e shoqërisë “Alliance Resource” sh.p.k., me masë sigurimi “Arrest me burg”, e dyshuar për veprat penale “Menaxhimi i mbetjeve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
  13. N.B., administrator i shoqërisë “Bajrami N” sh.p.k., me masë sigurimi “Arrest me burg”, i dyshuar për veprën penale “Menaxhimi i mbetjeve”.
  14. A.P., administrator i shoqërisë “Bajrami N” sh.p.k., me masë sigurimi “Arrest me burg”, i dyshuar për veprën penale “Menaxhimi i mbetjeve”.
  15. P.Q., person fizik, me masë sigurimi “Arrest me burg”, i dyshuar për veprën penale “Menaxhimi i mbetjeve”.
  16. M.H., agjent doganor, me masë sigurimi “Arrest me burg”, i dyshuar për veprën penale “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”.
  17. J.K., përgjegjës i turnit pranë Degës së Doganës Durrës, me masë sigurimi “Arrest me burg”, i dyshuar për veprën penale “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”.
  18. I.L., doganier pranë Degës së Doganës Durrës, me masë sigurimi “Arrest me burg”, i dyshuar për veprën penale “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”.
  19. E.V., doganier pranë Degës së Doganës Durrës, me masë sigurimi “Arrest me burg”, i dyshuar për veprën penale “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”.
  20. H.L., përgjegjës i turnit pranë Degës së Doganës Durrës, me masë sigurimi “Arrest me burg”, i dyshuar për veprën penale “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”.
  21. Sh.J., doganier pranë Degës së Doganës Durrës, me masë sigurimi “Arrest me burg”, i dyshuar për veprën penale “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”.
  22. F.Ç., përfaqësues i shoqërisë EMS APO, me masë sigurimi “Arrest me burg”, i dyshuar për veprën penale “Menaxhimi i mbetjeve”.
  23. I.H., shtetas gjerman, administrator i shoqërisë EMS APO, me masë sigurimi “Arrest me burg”, i dyshuar për veprën penale “Menaxhimi i mbetjeve”.
  24. G.S., këshilltar pranë shoqërisë EMS APO, me masë sigurimi “Arrest me burg”, i dyshuar për veprën penale “Menaxhimi i mbetjeve”.
  25. A.D., drejtoreshë e përgjithshme e AKM-së, me masë sigurimi “Arrest në shtëpi”, e dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” (në tre raste).
  26. M.P., Drejtore e Drejtorisë së Lejeve Mjedisore dhe VNM-ve pranë AKM-së, me masë sigurimi “Arrest në shtëpi”, e dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” (në tre raste).
  27. D.S., Drejtor i Drejtorisë së Inspektim Kontrollit pranë AKM-së, me masë sigurimi “Arrest në burg”, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” (në tre raste), parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
  28. K.S., përgjegjëse e Sektorit të Monitorimeve të Lejeve Mjedisore dhe VNM pranë AKM-së, me masë sigurimi “Arrest në shtëpi”, e dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
  29. B.T., përgjegjëse e Sektorit të Lejeve Mjedisore pranë AKM-së, me masë sigurimi “Arrest në shtëpi”, e dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
  30. E.M., përgjegjëse e Sektorit të Monitorimit të Lejeve Mjedisore dhe VNM, me masë sigurimi “Arrest në shtëpi”, e dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
  31. K.A., përgjegjës i Sektorit të Inspektimit Mjedisor pranë AKM-së, me masë sigurimi “Arrest në burg”, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
  32. I.M., specialiste mjedisi pranë Autoritetit Portual Durrës, me masë sigurimi “Arrest në shtëpi”, e dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
  33. Xh.G., specialist mjedisi pranë Autoritetit Portual Durrës, me masë sigurimi “Arrest në burg”, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Deri më sot janë ekzekutuar masat e sigurimit për 20 shtetas dhe vijon puna për kapjen e 13 shtetasve të tjerë.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës mbetet e angazhuar në zbardhjen e plotë të rrethanave të çështjes, evidentimin dhe provimin e përgjegjësisë penale për çdo subjekt privat dhe shtetëror të përfshirë. Kjo veprimtari po kryhet në përputhje me ligjin, në mbrojtje të interesit publik, shëndetit të qytetarëve dhe mjedisit.

Scroll to Top