34 mijë hektarë pyje jepen me qira, qytetarët protestojnë

Flet qytetari që hyri në Këshillin Bashkiak: Mbi 34 mijë hektarë pyje jepen me qira

Qytetari Kevi Muçllari ka reaguar pas tensioneve të lindura gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak, ku u përplas me këshilltarin demokrat Engjëll Shyti, pas miratimit të listës së sipërfaqes së tokës prej 34.660 hektarësh në Çërravë, që mund të jepen me qira.

Muçllari u shpreh për mediat, duke sqaruar se momenti i acarimit erdhi pas miratimit të vendimit dhe se ata u kërcënuan nga këshilltari Shyti. Ai theksoi se çështja nuk do të mbyllet me kaq dhe se do të ndiqen të gjitha hapat ligjorë.

“Siç e patë edhe vetë, pati një moment tensioni sepse Engjëll Shyti, këshilltar, u ngrit dhe na kërcënoi për shkak të asaj që thashë unë. Ishte një moment acarimi, tensioni. Kjo ndodhi natyrisht pas miratimit të vendimit, të cilit ne ishim totalisht kundër. Kryetari i bashkisë tha ‘këto janë teka, kjo është e pavërtetë’. Deri në momentin kur situata ishte e qetë, gjithçka ishte racionale. Të gjitha argumentet që paraqitëm ne dhe që i kemi paraqitur vazhdimisht janë të njohura dhe shumë të arsyeshme. Në këto momente, kryetari i bashkisë tha që kjo është tekë dhe hajde ta votojmë. Nga ky moment ndodhi edhe tensioni me anëtarin e këshillit bashkiak.

Me siguri, fakti është që ne nuk do ta lëmë këtë punë me kaq. Edhe këshilltarët duhet të kenë turp që mbajtën këtë qëndrim nga fillimi, madje edhe ata që e ndryshuan atë. Më vjen keq për ata që e ndryshuan; ata duhet të përballeshin me këtë situatë duke ruajtur bindjet e tyre. Kjo punë nuk mbetet me kaq, ne do të vazhdojmë të ndjekim të gjitha hapat ligjorë. Kjo është e papranueshme pasi gjithë komuniteti është i prekur dhe ne do të luftojmë, se nuk kemi çfarë të bëjmë”, tha ai.

Scroll to Top