## Ligji i faljes: Shuhen 410 milionë euro detyrime në Tatime, përfituan 204 mijë biznese
Procesi i fshirjes automatike të detyrimeve tatimore për tatimpaguesit përfitues, sipas përcaktimeve të Ligjit nr. 86/2025, vijon. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve (DPT) raporton se deri më 31 korrik 2026, janë fshirë ose shuar detyrime në vlerën e 410 milionë eurove për 204,413 tatimpagues. Ky proces vazhdon për të gjithë përfituesit sipas ligjit.
Administrata tatimore kujton tatimpaguesit se afati për faljen e detyrimeve sipas këtij ligji mbyllet më 31 dhjetor 2026.
Ligji për fshirjen e detyrimeve tatimore, doganore dhe të pushtetit vendor po zbatohet në disa faza:
* **Faza e parë (10 qershor – 30 qershor 2026):** U zbatua faza e pagesave për përfitimin nga falja me kusht e detyrimeve tatimore, gjobave dhe kamatëvonesave, sipas ligjit nr. 86/2025.
* Për periudhën 2015–2019, përfitohej fshirje e 50% të detyrimit kryesor, si dhe fshirje e plotë e gjobave dhe kamatëvonesave, nëse 50% e mbetur paguhej njëherësh.
* **Faza e dytë (vijon deri më 31 dhjetor 2026):**
* Për periudhën 2015–2019, përfitohet fshirje e 25% të detyrimit kryesor, si dhe fshirje e plotë e gjobave dhe kamatëvonesave, me kushtin që të paguhet 75% e principalit. Afati për këtë pagesë është nga 10 qershori deri më 31 dhjetor 2026.
* Për periudhën 2020–2024, përfitohet fshirje e plotë e gjobave dhe kamatëvonesave, nëse paguhet 100% e detyrimit kryesor. Afati për pagesën është nga 10 qershori deri më 31 dhjetor 2026.
