I vendosi tritol automjetit në Bulqizë, ekstradohet nga Spanja 48-vjeçari
Një 48-vjeçar, i cili dyshohet se ka vendosur eksploziv në një automjet në Bulqizë, është ekstraduar nga Spanja drejt Shqipërisë.
Si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Madridit, në kuadër të operacionit ndërkombëtar “The Wanted”, u finalizua ekstradimi i shtetasit R.I., 48 vjeç, nga Spanja drejt Shqipërisë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, me pasoja të rënda materiale.
Shtetasi R.I. akuzohet se në mbrëmjen e datës 29 qershor 2018, ka shpërthyer me eksploziv automjetin tip “Audi”, në pronësi të shtetasit F.T. dhe në përdorim të pronarit të lavazhit ku ndodhi shpërthimi, shtetasit T.T. Si pasojë e ngjarjes pati vetëm dëme materiale.
