5 tifozë të PAOK-ut të vdekur në aksident në Rumani, sot u jepet lamtumira e fundit
Sot mbahet ceremonia mortore për pesë nga shtatë viktimat e aksidentit tragjik në Rumani, ku furgoni me tifozë të PAOK-ut u përplas me një kamion. Sipas mediave të huaja, në orën 11:00, trupat e tre të rinjve do të arrijnë në Kishën e Ngjitjes së Virgjëreshës Mari, ku familjarë, miq dhe të afërm do t’u japin lamtumirën e fundit Vasilis Palos, Kostas Markopoulos dhe Dimitris Maronitis.
Ndërkohë, në Selanik, në Efkarpia, në orën 12:00, do të zhvillohet ceremonia mortore për Giorgos Kesanidis në Kishën e Shën Irinit Chrysovalantou. Në orën 13:00, në Stefaninë, të komunës së Volvës, familjarët do t’i japin lamtumirën e fundit Thanasis Gouzouris, në Kishën e Shën Dimitrios.
Lidhur me gjendjen shëndetësore të dy të plagosurve të mbetur, raportohet se 20-vjeçari që ishte plagosur rëndë ndodhet në Klinikën e Neurokirurgjisë të spitalit “Papageorgiou” në Selanik, jashtë rrezikut për jetën. Një tjetër i plagosur, 28 vjeç, u largua nga i njëjti spital dje, pasi shprehu dëshirën për të marrë pjesë në funeralet e shokëve të tij.
Një 20-vjeçar nga Rumania, i cili gjithashtu ishte plagosur, është jashtë rrezikut për jetën. Mjekët theksuan se ai ka qenë në gjendje të lëvizë gjymtyrët, përjashtuar krahun e thyer. Ai do të qëndrojë i intubuar për arsye mjekësore, në mënyrë që të shmangen komplikacionet në frymëmarrje pas ndërhyrjes kirurgjikale.
