Ministri Malaj: 50 milionë euro për emergjencat nga përmbytjet dhe kompensimin e dëmeve
Në mbledhjen e Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile, Ministri i Financave, Petrit Malaj, bëri të ditur se për situatën e krijuar nga reshjet e fundit dhe përmbytjet, qeveria ka vënë në dispozicion mbi 50 milionë euro.
Sipas ministrit, 30 milionë euro janë parashikuar për shpenzime kapitale në programin e Emergjencave Civile, prej të cilave 15 milionë euro do të financojnë projekte që lidhen me parandalimin e fatkeqësive natyrore.
Një fond tjetër, i kushtëzuar për emergjencat civile, prej rreth 10 milionë euro, do të menaxhohet nga Ministria e Mbrojtjes dhe do të shpërndahet në njësitë e vetëqeverisjes vendore, bazuar në një metodologji të hartuar sipas hartës së riskut.
Ministri Malaj gjithashtu njoftoi se fondi rezervë i Këshillit të Ministrave, në vlerën rreth 25 milionë euro, do të vihet në dispozicion për vlerësimin dhe kompensimin e dëmeve të shkaktuara. Ndërsa fondi për digat dhe rezervuarët, 5 milionë euro, do të përdoret për sigurinë e infrastrukturës ujore.
“Nga ana e Ministrisë së Financave, në programin e Emergjencave Civile kemi parashikuar rreth 30 milionë euro, të cilat janë të ndara për shpenzime kapitale dhe lidhen me financimin e objekteve apo projekteve për parandalimin e fatkeqësive natyrore. Vlera e alokuar për këtë program është rreth 15 milionë euro. Nga ana tjetër, kemi planifikuar edhe fondin e kushtëzuar për emergjencat civile, rreth 10 milionë euro, i cili është një transfertë e kushtëzuar që menaxhohet nga Ministria e Mbrojtjes dhe do të shpërndahet për njësitë e vetëqeverisjes vendore, sipas një metodologjie të bazuar në hartën e riskut që po kryen kjo ministri. Gjithashtu, kemi edhe fondin rezervë të Këshillit të Ministrave, në vlerën rreth 25 milionë euro, që do të vihet në dispozicion në varësi të vlerësimeve që do të bëhen nga strukturat përkatëse për dëmet e shkaktuara. Po ashtu, kemi edhe fondin për digat dhe rezervuarët, i cili është për shpenzime kapitale dhe lidhet me financimin e projekteve për sigurimin e digave dhe të rezervuarëve. Ky fond është rreth 5 milionë euro. Kështu që, në total, duke bërë një vlerësim të fondeve në dispozicion, shuma arrin mbi 50 milionë euro, të cilat janë të disponueshme për situatën e krijuar aktualisht”, nënvizoi ministri Malaj gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile.
