I dënuar me 9 vite burg për drogë dhe shfrytëzim prostitucioni, arrestohet 53-vjeçari
Një 53-vjeçar, i cili ishte dënuar me 9 vite burgim nga Italia për trafik droge, pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe shfrytëzim prostitucioni, është arrestuar në Shijak. Ai pritet të ekstradohet drejt Italisë.
Sipas njoftimit të policisë, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Shijak dhe Forcat Operacionale të DVP Durrës, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Decision”. Ky operacion synonte gjurmimin, lokalizimin dhe kapjen e personave në kërkim.
Gjatë operacionit u bë e mundur kapja dhe arrestimi i përkohshëm, me qëllim ekstradimi, i shtetasit Festim Keci, 53 vjeç, banues në Shijak. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Apelit të Torinos, Itali, në vitin 2023, e kishte dënuar me 9 vite burg për veprat penale “Trafikim të lëndëve narkotike”, “Pjesëmarrje në organizatë kriminale” dhe “Shfrytëzim prostitucioni”, parashikuar nga Kodi Penal italian.
Materialet hetimore janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, me qëllim ekstradimin drejt Italisë.
