53-vjeçari nga Sukthi arrestohet pasi qarkullonte me armë në makinë
Një 53-vjeçar është arrestuar nga policia e Durrësit, pasi akuzohet se lëvizte me automjet dhe i armatosur. Bëhet fjalë për shtetasin me inicialet I. D.
Njoftimi i Policisë:
“Qarkullonte me automjet dhe i armatosur me armë zjarri, të cilën e mbante në brez; kapet dhe vihet në pranga 53-vjeçari. Sekuestrohet arma e zjarrit, municioni luftarak dhe automjeti me të cilin qarkullonte.
Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme kundër personave që mbajnë armë pa leje, bazuar edhe në informacionet e marra në rrugë operative se një shtetas po qarkullonte me automjet, i armatosur me armë zjarri, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Brezi”.
Në kuadër të operacionit, në lagjen nr. 6, në rrugën “Hysen Myshketa”, automjeti që dyshohej se drejtohej nga shtetasi i armatosur me armë zjarri, është konstatuar dhe ndaluar për kontroll nga shërbimet e Policisë.
Gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën në brez shtetasit I. D., një armë zjarri, pistoletë “Glock”, me municion luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në vijim të veprimeve, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit I. D., 53 vjeç, banues në Sukth, Durrës, dhe materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit”.”
