57 Eurodeputetë Kundër Projektit në Gjadër: Shkelje Ligjore nga Italia
57 eurodeputetë kundër “eksperimentit Meloni” me Gjadrin: I papranueshëm për BE
Projekti i qendrës së mbajtjes së emigrantëve në Gjadër mund të shtrihet në Evropë, jo si model, siç është sugjeruar vazhdimisht nga Kryeministrja italiane Giorgia Meloni, por si pasojë e veprimeve konkrete kundër shkeljeve ligjore. Mbi 50 eurodeputetë, përfshirë Alessandro Zan dhe Cecilia Strada të Partisë Demokratike të Italisë, i kanë bërë thirrje Komisionit Evropian të ndërhyjë kundër veprimeve të qeverisë italiane në Shqipëri, duke kërkuar edhe nisjen e procedurave të penalizimit.
Në një letër të përbashkët, të nënshkruar nga 57 eurodeputetë nga vende dhe parti të ndryshme politike (S&D, të Gjelbrit, të Majtët), si dhe nga të gjitha partitë opozitare italiane, i kërkohet Komisionerit për Çështjet e Brendshme dhe Migracionin, Magnus Brunner, të marrë masa. Sipas tyre, Giorgia Meloni ka shkelur ligjin evropian në Shqipëri, një fakt për të cilin Komisioni Evropian është tashmë në dijeni. Eurodeputetët kërkojnë tani veprime konkrete.
Qendrat e mbajtjes së emigrantëve në Shqipëri paraqesin një devijim nga plani origjinal i qeverisë Meloni, e cila fillimisht parashikonte vetëm përshpejtimin e procedurave kufitare. Megjithatë, pas disa vendimeve të gjyqësorit italian, që nuk konfirmuan shumicën e ndalimeve të emigrantëve, dhe vendimit të Gjykatës së Drejtësisë të Bashkimit Evropian mbi “vendet e sigurta”, qeveria italiane ka vendosur t’i shndërrojë qendrat në Shëngjin dhe Gjadër në qendra ndalimi për riatdhesim.
Eurodeputetët Zan dhe Strada e konsiderojnë këtë projekt si shkelje të ligjit evropian. Në letër thuhet se: “Qeveria Meloni ka krijuar një sistem menaxhimi të migracionit që nuk respekton juridiksionin evropian, duke përfshirë riatdhesimet direkt nga territori shqiptar, në shkelje të ligjit të BE-së. Modeli i imponuar nga qeveria italiane minon sundimin e ligjit”. Ata shtojnë se ky model është jashtëzakonisht i kushtueshëm dhe krijon një “zonë gri” të rrezikshme, jashtë fushëveprimit të ligjshmërisë evropiane, ku migrantët privohen nga mbrojtjet e ofruara nga Karta e të Drejtave Themelore dhe konventat ndërkombëtare.
Eurodeputetët vënë në dukje se Gjykata Evropiane e Drejtësisë ka konfirmuar papajtueshmërinë e këtij modeli me ligjin e BE-së, ndërsa Gjykata Italiane e Kasacionit ka kërkuar gjithashtu një vendim mbi legjitimitetin e qendrave të mbajtjes në Shqipëri.
Zan, Strada dhe kolegët e tyre theksojnë se, pavarësisht se Komisioni Europian është në dijeni të këtyre operacioneve, deri më tani është kufizuar në deklarimin se monitoron pajtueshmërinë me rregullat. Ata e cilësojnë këtë si një qëndrim të papranueshëm, që rrezikon të shndërrohet në bashkëfajësi për shkak të inercisë. “Komisioni duhet të mbrojë traktatet, jo të rrijë duarkryq dhe të shikojë këto shkelje të vazhdueshme dhe flagrante. Është koha që Komisioni të veprojë, duke miratuar masa konkrete. Në rrezik nuk janë vetëm të drejtat e emigrantëve, por edhe vetë besueshmëria e Bashkimit Evropian si një zonë lirie, demokracie dhe sundimi të ligjit”, përfundojnë ata.