Në kërkim për shitje narkotikësh dhe vjedhje, 6 persona në pranga në Durrës
Policia ka arrestuar ditën e sotme disa persona në qytetin e Durrësit, në kuadër të një operacioni për kapjen e personave të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.
Ndër personat e arrestuar janë:
- Abdyl Kaçaça, 35 vjeç, banues në Durrës. Ai është dënuar nga Gjykata e Apelit në vitin 2024 me 5 vjet e 6 muaj burgim për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Atij i kanë mbetur për të vuajtur edhe 2 vjet e 9 muaj burgim.
- Jorid Muçeku, 27 vjeç, banues në Durrës. Ai ka për të vuajtur 3 vjet e 4 muaj burgim, sipas një vendimi të formës së prerë të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
- Një 45-vjeçar, i identifikuar si V. T., për të cilin Gjykata e Durrësit ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Vjedhja”.
- E. S., 35 vjeç, banues në Laç, i dënuar për veprën penale “Mashtrimi”.
Dy persona të tjerë do të hetohen në gjendje të lirë:
- B. D., 33 vjeç, banues në Kavajë, i cili është proceduar penalisht në gjendje të lirë për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.
- E. S., 35 vjeç, banues në Durrës, i shpallur në kërkim nga Drejtoria Vendore e Policisë Korçë për veprën penale “Mashtrimi”. Edhe ky person është proceduar penalisht në gjendje të lirë.
Policia vijon punën për kapjen e personave të tjerë të shpallur në kërkim.
