INSTAT: 70% e bashkive me shtesë natyrore negative/ Ja gjendja më problematike
Në vitin 2023, 43 nga gjithsej 61 bashki në Shqipëri regjistruan një shtesë natyrore negative. Kjo do të thotë se në secilën prej tyre numri i vdekjeve tejkaloi numrin e lindjeve, sipas të dhënave të raportuara nga INSTAT. Numri i bashkive me këtë karakteristikë pritet të jetë edhe më i lartë në vitin 2024, për shkak të një rënieje të përgjithshme të lindjeve në nivel kombëtar, megjithëse ende nuk janë publikuar të dhëna të detajuara.
Bashkitë e vendosura në pjesën jugore të vendit dominohen nga shtesa negative, një fenomen ky i nxitur nga plakja e popullsisë, e cila sjell një numër më të lartë vdekjesh.
Sipas INSTAT, Korça shënon rënien më të thellë, me -394 banorë. Pas saj renditen Vlora (-182), Shkodra (-152) dhe Kuçova (-146). Arsyet kryesore lidhen me:
- Plakjen e popullsisë
- Emigracionin e lartë
- Uljen e lindshmërisë, veçanërisht në qendrat urbane të Jugut dhe Veriut, zona këto që dikur ishin qendra të forta industriale.
Bashki të tjera që kanë regjistruar rënie të vazhdueshme janë:
- Fieri (-128)
- Lushnja (-124)
- Maliqi (-101)
- Pogradeci (-85)
- Gjirokastra (-74)
Këto qytete, dikur karakterizoheshin nga një dendësi e lartë popullsie.
Në anën tjetër, disa bashki më të vogla si Klosi (+4), Divjaka (+9), Saranda (+22) dhe Bulqiza (+47) kanë treguar stabilitet ose një rritje të lehtë. Ky zhvillim reflekton ndikimin pozitiv të turizmit dhe ruajtjen e normave tradicionale familjare.
Tirana, nga ana e saj, kryeson listën me një shtesë natyrore pozitive prej 2,880 banorësh në vitin 2023, duke qenë bashkia e vetme me një rritje demografike të konsiderueshme. Kjo tregon përqendrimin e lindjeve dhe emigracionin e brendshëm drejt kryeqytetit, i cili mbetet epiqendra e ekonomisë, arsimit dhe punësimit në vend.
Pas Tiranës, renditen:
- Kamza me shtesë natyrore +640
- Durrësi +386
- Kruja +231
- Kukësi +221
Këto bashki shënojnë rritje të moderuar, pjesërisht edhe për shkak të ruajtjes së traditës për familje të mëdha.
Shtesa natyrore e popullsisë në Shqipëri mbetet thellësisht negative në shumicën e territorit. Rritja demografike në Tiranë dhe disa bashki përreth saj po ndodh paralelisht me shpopullimin e pjesës tjetër të vendit. Ky fenomen sinjalizon një përqendrim gjithnjë e më të madh të burimeve njerëzore dhe ekonomike në pak qendra urbane.
Në 10 bashki, popullsia po tkurret për shkak të plakjes dhe lindshmërisë së ulët. Shkaku kryesor është emigracioni i të rinjve, të cilët largohen nga zonat rurale dhe qytetet e vogla, duke lënë pas grupmoshat riprodhuese. Nga ana tjetër, plakja e popullsisë kontribuon në rritjen e numrit të vdekjeve dhe uljen e lindjeve.
Kushtet ekonomike dhe mungesa e shërbimeve shtojnë ndikimin, duke nxitur çiftet të kenë më pak fëmijë ose të zhvendosen drejt Tiranës dhe disa qyteteve të mëdha. Në afat të gjatë, ky proces pritet të ketë pasoja serioze, siç janë mbyllja e shkollave, mungesa e fuqisë punëtore, rënia e konsumit lokal dhe vështirësi në ofrimin e shërbimeve publike.