Mër. Dhj 19th, 2018

8 Dhjetori në Elbasan, Balla: Dialogu me studentët në proces, zgjidhja shumë pranë

TIRANË,8 dhjetor /ATSH- I. Vata/ – “Koha kur protestat nuk dëgjoheshin ka përfunduar 5 vite më parë. Protesta e studentëve është një nga të drejtat e tyre dhe ne do të vazhdojmë ta kemi në proces dialogun me studentët dhe zgjidhja është shumë pranë”, deklaroi sot kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla në ditën e 8 dhjetorit, organizuar me të rinjtë socialistë në Elbasan.

Balla falënderoj të rinjtë e Elbasanit për ftesën e kësaj dite.

“28 vite më parë studentët e dhjetorit shënuan një akt të madh ndryshimi historik, vendosjen e pluralizmit në Shqipëri dhe më pas kulmuan me gjithë këto zhvillime politike dhe ndryshimit të Shqipërisë në këto 28 vite”, – tha ai.

“Sot nuk është lajm të protestohet, por shprehje e demokracisë, por të gjithë e dimë se kush proteston, duhet të ulet me autoritetet që problemet që ngrihen të marrin rrugën e zgjidhjes. Vendimi i menjëhershëm i qeverisë për të anuluar pikën katër ishte një vendim i duhur. Jam krenarë që PS prej ditës së parë në qeverisje po i kthen dinjitetin arsimit universitar publik. Sot jemi në valën e implementimit të Reformës në Arsim. Ne jemi një vend që kemi taksat më të ulëta në vend dhe madje edhe në arsim”, – tha Balla.

Po ashtu, Balla tha se “protesta e studentëve është nja nga liritë e tyre themelore, por ne nuk duhet ta politizojmë, pasi deputet të opozitës kishin marrë për sipër të hynin mes studentëve”.

Duke folur për protestat e studentëve, Balla tha se “ky do jetë një proces komunikimi dhe zgjidhja është shumë pranë. Dialogu duhet vazhduar me studentët, pedagogët për të arritur në një qasje të zbatueshme dhe të qëndrueshme në kohë. Për të gjitha këto do kemi kohë në ditë në vijim, por 8 dhjetori është moment reflektimi për historinë e re të Shqipërisë drejtë rrugës europiane”.

Më tej, Balla shtoi se “ashtu siç u nisën idealet e dhjetorit ta bëjmë “Shqipërinë si gjithë Europa”, fakti se Shqipëria është 7 muaj larg Europës, tregon se jemi në rrugën e duhur. Të gjitha këto reforma edhe Reformat në Arsim dhe në Drejtësi, sepse kam dëgjuar se ka akuza për korrupsion në universitete dhe kjo ka rëndësi. Dje në përfunduam zgjedhjen e Këshillit të Emërimeve dhe më pas KLGJ dhe KLP. Ne duam një sistem universitar të pastër dhe nota të jetë një vlerësim objektiv”.

Ndërsa nga ana e saj, deputetja Evis Kushi tha se “sot është 8 Dhjetori dhe është dita e rinisë. Edhe sot ka protesta, por sot studentët janë të lirë të protestojnë kur kauza e tyre është e drejtë”.

“Rinia duhet të merret me politikë dhe ju e keni bërë këtë sepse jeni pjesë e FRESH dhe ju i jepni politikës energji për ta bërë atë më të mirë në interes të njerëzve dhe në këto kohë për ta integruar Shqipërinë në BE. Edhe ngritja e zërit të studentëve është gjë e mirë dhe zëri i tyre do të dëgjohet deri në fund”, – tha Kushi./e.caushi/

Kategori