Die. Sht 23rd, 2018

8 milionë euro për rehabilitimin dhe zgjerimin e Pediatrisë

TIRANË, 11 korrik/ATSH/- Shërbimi i Urgjencës Pediatrike në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë është rindërtuar me standarde bashkëkohore, duke ofruar një standard të ri shërbimi për pacientët.

“Po punojmë çdo ditë për të ndërtuar spitale miqësore me fëmijët. Sot kemi një urgjencë të re pediatrike, me më shumë hapësira dhe mundësi trajtimi në kushte dhe standarde bashkëkohore për pacientët e vegjël”, – tha ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Ogerta Manastirliu, pas vizitës në ambientet e reja të Urgjencës Pediatrike.

Manastirliu lajmëroi gjithashtu fillimin e punimeve për rindërtimin dhe zgjerimin e Pediatrisë së QSUT-së.

“Jemi ambiciozë për të realizuar një ndërhyrje që do t’i ndryshojë krejtësisht pamje Pediatrisë këtu në QSUT, investimi madhor rreth 8 milionë euro në kuadër të projektit të qeverisë shqiptare me Bankën Botërore, që do të rehabilitojë dhe zgjerojë Pediatrinë. Falë kësaj ndërhyrje, që do të nisë këtë vit, do të kemi një spital pediatrik modern, sipas standardeve europiane”, – u shpreh Manastirliu.

E pyetur në lidhje me fluksin në këtë spital, ministrja Manastirliu tha se të dhënat e këtij 6-mujori flasin për një ulje të fluksit krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, edhe për faktin se popullata është më e ndërgjegjësuar dhe padyshim shërbimi parësor është përmirësuar.

Në urgjencën pediatrike të QSUT-së, e cila trajton rreth 100 mijë pacientë në vit është ulur koha e pritjes për pacientët e vegjël për arsye të triazhimit, pra diferencimit të rasteve të urgjencave si dhe futjes së sistemit të ri elektronik të menaxhimit të radhës për pacientët.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale deklaroi gjithashtu se do të vijojnë projektet për tjetërsimin e pediatrive në spitale miqësore, në të gjithë Shqipërinë. Pas Vlorës, Elbasanit së fundi, së shpejti Fierit dhe me fillimin e punimeve për rehabilitimin dhe zgjerimin e Pediatrisë së Durrësit, zgjerohet harta e spitaleve miqësore me fëmijët.

/z.tosku//m.m/

Kryesore – Agjencia Telegrafike Shqiptare

Kategori