“`html
Grabitja e shekullit në Luvër! Dy të arrestuarit ‘kyçin’ gojën para hetuesve
Dy personat e arrestuar për grabitjen e ndodhur në muzen e famshëm të Luvrit kanë zgjedhur të mos u përgjigjen pyetjeve të hetuesve, duke ushtruar “të drejtën për të heshtur”. Ata janë mbajtur në zyrat e prokurorisë speciale të Parisit që nga momenti i arrestimit nga autoritetet franceze.
Mediat e huaja raportojnë se dy të arrestuarit njihen nga autoritetet franceze për një seri vjedhjesh dhe veprash të tjera, si shkelje prone, fyerje dhe dëmtime trupore. Megjithatë, nuk ka të dhëna për lidhje me rrjetet e krimit të organizuar.
Hetimet janë mbështetur në një sërë provash mjeko-ligjore të mbledhura në vendin e ngjarjes, një skenë që është bërë e famshme në mbarë botën dhe është fotografuar gjerësisht ditët e fundit.
Identifikimi i personit të parë, një 39-vjeçar me shtetësi të dyfishtë franko-algjeriane, u bë falë një floku të gjetur brenda një helmete motori të braktisur nga autorët gjatë arratisjes. Personi i dytë i arrestuar, një francez me origjinë nga Mali, u identifikua përmes ADN-së së gjetur në jelekun e verdhë që mbante veshur gjatë përdorimit të një makine ngritëse për të arritur në fasadat e galerisë dhe për të hyrë brenda.
Arrestimet u përshpejtuan kur autoritetet zbuluan se njëri prej të dyshuarve ishte gati të nisej me një fluturim drejt Algjerisë nga aeroporti i Roissy-t.
Pavarësisht kërkimeve të gjera, dy anëtarë të tjerë të grupit, të cilët prisnin jashtë muzeut me motorë të ndezur, janë ende në kërkim.
“`
