Arrestohet i riu në Berat, i sekuestrohet drogë
Një 27-vjeçar është arrestuar në Berat, pasi akuzohet se shiste kanabis dhe kokainë. Burime zyrtare nga policia bënë të ditur se pas një hetimi të ndjekur me metoda speciale, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale dhe shërbimet e DVP Vlorë, finalizuan operacionin policor antidrogë të koduar “Alfa”.
Si rezultat i operacionit, u arrestua në flagrancë shtetasi A. Sh., 27 vjeç, banues në Vlorë.
NJOFTIMI I POLICISE:
Berat/ Goditet një rast i veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Finalizohet pas një hetimi disa mujor, i cili u ndoq me metoda speciale, operacioni policor antidrogë i koduar “Alfa”. Operacioni u zhvillua nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Forca e Posaçme Operacionale në DVP Berat, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë së Beratit.
Në pranga është vënë 27-vjeçari që posedonte lëndë narkotike kokainë dhe cannabis sativa (një pjesë e ndarë në doza), me qëllim shitjen.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan:
- 1 kilogram e 530 gramë kokainë
- 7.5 kilogramë cannabis
- një peshore elektronike
- municion luftarak
- një elektroshok
- një aparat celular
Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.
