Zgjedhje të Pjesshme Vendore: 5 Bashki në Garë më 9 Nëntor

BIRN: Beteja elektorale “e pjesshme” për 5 bashkitë e vendit

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve miratoi të dielën emrat e kandidatëve për zgjedhjet e pjesshme vendore në 5 bashki të vendit, të cilat u lanë vakante pas dorëheqjeve të kryetarëve. Tirana vijon të jetë në pritje të një vendimi nga Gjykata Kushtetuese lidhur me ligjshmërinë e shkarkimit të kryetarit aktual, i cili aktualisht ndodhet në paraburgim nën akuzë për korrupsion.

Në bashkitë Vlorë, Berat, Tepelenë, Cërrik dhe Mat, zgjedhjet do të zhvillohen më 9 nëntor. Kryetarët e rinj do të shërbejnë për rreth 1 vit e gjysmë, deri në zgjedhjet e ardhshme vendore të vitit 2026.

Pesë bashkitë e përmendura më parë drejtoheshin nga Partia Socialiste. Tre prej tyre mbetën vakante pasi kryebashkiakët Agron Malaj (Mat), Ervin Demo (Berat) dhe Tërmet Peçi (Tepelenë) dhanë dorëheqjen për t’u bërë deputetë të Kuvendit të Shqipërisë. Kryebashkiaku i Vlorës, Ermal Dredha, gjithashtu dha dorëheqjen, ndërsa ai i Cërrikut, Andi Salla, u emërua ministër i Bujqësisë.

Për shkak të afateve të ngushta për regjistrimet në KQZ, fushata zyrtare do të zgjasë vetëm një javë dhe nis më 1 nëntor, megjithëse kandidatët kanë filluar fushatat e tyre paraprake.

Në garë janë kandidatë të Partisë Socialiste, të cilët kryesisht vijnë nga karriera politike lokale dhe administrata vendore. Opozita dhe Partia Demokratike kanë zgjedhur të mos kandidojnë emra politikë, por të mbështesin kandidatë të pavarur.

  • Në Bashkinë e Vlorës, Partia Socialiste kandidon me Brunilda Mersinin, mjeke dhe ish-drejtuese e Spitalit Rajonal të Vlorës. Për t’u bërë kandidate, Mersini dha dorëheqjen nga mandati i deputetes. Përballë saj është kandidati i pavarur Dionis Sota, sipërmarrës dhe drejtues i shoqatës turistike rajonale “Arta”, i mbështetur nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Shqipëria Bëhet. KQZ nuk e regjistroi kandidatin e tretë, Gjergji Nika, si të pavarur, për shkak të mungesës së ndjekjes së procedurës së propozuar nga një Komision Nismëtar.
  • Në Berat, socialistët i kanë besuar kandidaturën kryetarit aktual të komanduar të bashkisë, Ervin Ceca, i cili ka shërbyer edhe si kryetar i Këshillit Bashkiak. Kundër tij garon biznesmeni Pavlo Shkarpa, i regjistruar si kandidat i pavarur dhe i mbështetur nga opozita.
  • Në Mat, PS ka kandiduar Altin Bonjin, drejtues në administratën vendore dhe kryetar i Këshillit Bashkiak. Partia Socialiste përballet me një përçarje, pasi garon si e pavarur edhe Suzana Pasha, me karrierë politike në degën e PS-së. Demokratët nga ana tjetër, mbështesin si kandidat të pavarur avokatin Eduart Brahilika.
  • Në Cërrik, socialistët propozojnë Florenc Dokën, i cili ka një eksperiencë të gjatë administrative në nivel vendor dhe bashkiak. Ai përballet me dy kandidatë nga opozita: kandidatin e pavarur të mbështetur nga demokratët, Amarildo Hoxha, mjek, dhe Eligert Hima, kandidat i “Shqipëria Bëhet”.
  • Në Tepelenë, socialistët garojnë me ish-kreun e Gardës së Republikës, Gramoz Sako. Demokratët mbështesin kandidatin e pavarur, Gabriel Guma, një arkitekt 26-vjeçar.

Monitoruesit e zgjedhjeve nuk presin ndonjë surprizë nga këto votime, duke i cilësuar më shumë si “riemërime” për shkak të mandatit të shkurtër të mbetur. Rigels Xhemollari, drejtues i organizatës “Qëndresa Qytetare”, u shpreh për BIRN se kryetarët e ardhshëm do të kenë pak rol vendimmarrës, pasi mazhoranca kontrollon këshillat dhe mbetet vetëm miratimi i buxhetit. Xhemollari shprehu shqetësim për dorëheqjet e kryetarëve të bashkive, duke shkaktuar kosto shtesë për qytetarët dhe administratën zgjedhore, si pasojë e transferimeve drejt parlamentit apo ekzekutivit.

Scroll to Top