Konfirmimi i prokurorit Elidon Hysenaj mbetet në fuqi nga KPA

Konfirmimi i prokurorit Elidon Hysenaj mbetet në fuqi

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA, njoftoi të martën, më 28 tetor, vendimin për pushimin e çështjes së vetingut ndaj prokurorit të Tiranës, Elidon Hysenaj. Për pasojë, konfirmimi i tij në detyrë mbetet në fuqi.

Pushimi i çështjes vjen pas kërkesës përfundimtare të drejtuesit të SPAK, Altin Dumani, i cili kërkoi lënien në fuqi të vendimit për konfirmimin e prokurorit Hysenaj.

Ankimi ndaj konfirmimit të prokurorit Hysenaj ishte bazuar në gjetjet rreth qëndrimeve të tij në dakordimin për kërkesat e palëve në proceset penale, lidhur me zëvendësimin e masave në tre çështje.

Pas konsultimit të informacioneve nga institucionet ligjzbatuese, drejtuesi i SPAK vlerësoi se gjetjet e konstatuara nuk mund të justifikojnë penalizimin e subjektit të rivlerësimit. Për këtë arsye, u kërkua lënia në fuqi e konfirmimit në detyrë.

Prokurori Elidon Hysenaj dhe përfaqësuesja e tij ligjore, avokatja Romina Zano, shprehën dakordësi me kërkesën e drejtuesit të SPAK, duke e cilësuar atë si të drejtë.

Bazuar në kërkesën përfundimtare të drejtuesit të SPAK, Kolegji konstatoi mungesën e interesit të ligjshëm nga ana e ankuesit. Për rrjedhojë, u konkludua se nuk ekziston më lëndë procedurale për vijimin e gjykimit të çështjes.

Sipas KPA, në këto kushte, pasoja e vetme ligjore procedurale është pushimi i çështjes. Për këtë arsye, vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për konfirmimin në detyrë të prokurorit Elidon Hysenaj, mbetet në fuqi.

Vendimmarrja e KPA-së është përfundimtare dhe ka efekt të menjëhershëm.

Scroll to Top