SPAK & Agovi në KPA: Parashtrime për vetingun

Drejtuesi i SPAK dhe prokurori Arben Agovi paraqesin parashtrimet në KPA

Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) u njoh të martën, më 28 tetor, me parashtrimet në çështjen e vetingut të prokurorit të Tiranës, Arben Agovi. Prokurori Klodian Braho, i cili përfaqëson drejtuesin e SPAK në këtë çështje, parashtroi shkaqet e ankimit që lidhen me kriterin e profesionalizmit. Sipas Brahos, nga verifikimi i çështjeve profesionale, konstatohet se subjekti ka pasur në mënyrë të përsëritur mungesë në ndërmarrjen e hetimeve dhe mbledhjes së provave, si edhe mungesë të arsyetimit logjik në trajtimin e procedimeve penale.

Sipas Brahos, shpjegimet e subjektit dhënë në Komision nuk kanë qenë bindëse. Ai solli në vëmendje pamundësinë financiare të konstatuar në KPK, e cila, megjithëse u cilësua e pamjaftueshme për të sjellë penalizim, u kërkua të merret në konsideratë nga Kolegji në vlerësimin e përgjithshëm të çështjes. Braho shtoi se këto konstatime do të rivlerësohen pas shqyrtimit të provave dhe shpjegimeve të subjektit gjatë procesit në Kolegj.

Ndërkohë, referuar gjendjes së akteve, Braho paraqiti kërkesën e drejtuesit të SPAK për ndryshimin e vendimit të Komisionit për konfirmimin e prokurorit Agovi dhe shkarkimin e tij nga detyra.

Prokurori Arben Agovi u paraqit në seancë publike së bashku me avokatin Julian Mërtiri, i cili parashtroi në mënyrë të detajuar të gjitha kundërshtitë për shkaqet e ankimit. Mërtiri i cilësoi si formale dhe të pabazuara në aktet e administruara shkaqet e parashtruara. Ai theksoi se veprimet procedurale dhe hetimore të ndërmarra nga subjekti i rivlerësimit gjatë ushtrimit të detyrës janë të rregullta e të plota, gjë që, sipas tij, vërtetohet edhe nga vendimet gjyqësore për çështjet objekt ankimi.

Sipas Mërtirit, shpjegimet e subjektit të rivlerësimit për një rast të trajtuar në ankim kanë qenë jo vetëm bindëse, por edhe shteruese, duke detajuar me korrektesë veprimet procedurale të ndërmarra prej tij. Avokati cilësoi si thelbësor faktin se në përfundim të hetimeve, gjykata ka pranuar përfundimisht kërkesën e prokurorit Agovi, duke i konsideruar veprimet e tij të plota.

Edhe një tjetër shkak ankimi, Mërtiri e cilësoi të pabazuar dhe kërkoi rivlerësimin e fakteve nga ana e Drejtuesit të SPAK, duke u theksuar se veprimet e subjektit të rivlerësimit, Arben Agovi, kanë qenë determinuese për zgjidhjen përfundimtare të çështjes. Avokati Mërtiri kundërshtoi gjithashtu shkakun për kriterin e pasurisë, duke u shprehur se nuk është një shkak ankimi i qenësishëm, i bazuar në prova.

Në përfundim, Mërtiri dhe prokurori Arben Agovi kërkuan lënien në fuqi të konfirmimit në detyrë.

Kolegji nuk gjeti elementë të mjaftueshëm në denoncimet e depozituara së fundmi ndaj subjektit dhe vendosi të mos çelë hetimin e tyre.

Seanca për paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare do të zhvillohet më datë 4 nëntor, në orën 13:30.

Scroll to Top