Pengesa Audituese: KLSH përballet me bllokim nga institucionet

Kreu i KLSH: Institucionet po na bllokojnë proceset audituese

Audituesit e Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) po hasin pengesa nga institucionet publike në aksesimin e bazave të të dhënave për kryerjen e auditimeve. Kryetari i KLSH-së, Arben Shehu, e bëri të ditur këtë ankesë të mërkurën në Kuvend, duke mos përmendur emra të institucioneve specifike.

Në përgjigje të shqetësimeve të deputetëve lidhur me zgjatjen e auditimeve tej afateve ligjore, Shehu theksoi se vonesat nuk vijnë për shkak të punës së audituesve, por për shkak të mungesës së bashkëpunimit nga institucionet e audituara.

“Kemi auditime në proces dhe nuk mund të ecim përpara për shkak të mosdhënies së aksesit nga institucioni që është në auditim,” tha Shehu gjatë një takimi në Komisionin e Ekonomisë. Ai shtoi se kjo situatë përfaqëson një “bllokim të procesit ligjor pa asnjë logjikë dhe përgjigje”.

Deputeti i Partisë Demokratike, Enno Bozdo, kërkoi nga Shehu sugjerime për zgjidhjen e problemit dhe nëse Kuvendi mund të ndërmerrte ndonjë veprim ndaj zyrtarëve shtetërorë që shmangen nga përgjegjësia ligjore.

“Ligji është i qartë, nevoja është për zbatimin e tij,” u përgjigj kreu i KLSH-së, duke njoftuar se do të ndiqte rrugët institucionale për rastet konkrete të pengimit të punës së audituesve.

Ndërkohë, Shehu u shpreh edhe për ankesa të punonjësve dhe ish-punonjësve të KLSH-së, të cilët, sipas tij, janë gjetur para pamundësisë për të audituar punën e kryeministrit. Ai iu referua një letër-ankese të dorëzuar në komision, ku kërkohej “suporti i Kuvendit për KLSH-në që të kishte mundësinë të auditonte punën e kryeministrit”.

Kryetarja e komisionit, Milva Ikonomi, pranoi shqetësimin e paraqitur nga punonjësit e KLSH-së, por kërkoi që çështja të trajtohej në një mbledhje tjetër, ndërsa mbledhja aktuale të fokusohej tek raportimi i KLSH-së për punën e tij gjatë vitit 2024.

Shehu kërkoi që komunikimi mes KLSH-së dhe Kuvendit të jetë i vazhdueshëm për adresimin e problematikave, duke vënë në dukje si një përvojë të mirë një nënkomision të posaçëm të ngritur në legjislaturën e kaluar për të trajtuar zbatimin e rekomandimeve të auditimeve nga administrata publike.

Gjatë paraqitjes së një ekspozeje të përgjithshme të auditimeve për vitin 2024, Shehu informoi se ishin kryer 159 auditime në të gjitha nivelet e qeverisjes. Ai tha se për shkeljet e konstatuara, KLSH kishte bërë 13 kallëzime penale dhe kishte dhënë 4378 rekomandime për masa disiplinore, administrative dhe financiare.

Pyetjet e deputetëve nga mazhoranca dhe opozita u fokusuan kryesisht në çështje të veçanta, veçanërisht në lidhje me auditimet e kontratave koncensionare. Për shumicën e këtyre çështjeve, Shehu theksoi se auditimet ishin ende në proces dhe sugjeroi që rezultatet të diskutoheshin në seanca të posaçme, me kërkesë të Kuvendit.

Scroll to Top