Mbeturina në Shqipëri: 200 vatra ndotje, rrezik për shëndetin

Nga veriu në jug: 200 vendgrumbullime ilegale mbetjesh, burim ndotje dhe sëmundjesh

Menaxhimi i mbetjeve paraqet një nga sfidat më të mëdha mjedisore me të cilat përballet Shqipëria, duke e vendosur vendin përpara rrezikut të një katastrofe ekologjike. Lumenj, përrenj, rrugë, qytete, fshatra dhe dete janë mbushur me mbeturina, duke dëshmuar se politikat e ndjekura për pastrimin e vendit në tre dekadat e fundit nuk kanë qenë adekuate.

Përmes pamjeve, denoncimeve nga ekspertë dhe banorë, është dokumentuar gjendja alarmante në venddepozitimet e shumë qyteteve. Sipas Klodian Muços, ekspert i ekonomisë, “Shqipëria është një vend i ndotur, edhe pse flasim për turizmin. Shikojmë nisma demonstrative një herë në vit nga institucionet qendrore apo lokale, madje edhe në nivel ministerial, ku mblidhen këto mbetje. Por, Shqipëria nuk pastrohet brenda një dite. Këto veprime duhet të jenë të vazhdueshme dhe mbi të gjitha, nuk duhet të hidhen sërish mbetje.”

Në 37 raste të dokumentuara, venddepozitimet janë ndërtuar buzë lumenjve. Tre bashki në qarkun e Gjirokastrës i kanë venddepozitimet pranë lumit Vjosa, i cili është shpallur park kombëtar, duke shkaktuar kështu ndotjen e mjedisit dhe të ujërave.

Sipas një raporti monitorimi për zbutjen e riskut, të përgatitur nga Ministria e Mjedisit në vitin 2018, bashkitë kanë trashëguar rreth 199 venddepozitime ilegale dhe jo-sanitare. Një pjesë e tyre vijojnë të jenë në përdorim edhe sot, ndërsa të tjera janë braktisur prej vitesh. Megjithatë, ato mbeten burime të rrezikshme infeksionesh.

Kristi Bashmilli, ekspert i mjedisit, shprehet se: “Vetë institucionet që duhet të merren me menaxhimin e mbetjeve shpeshherë kanë krijuar venddepozitime ilegale, dhe kjo është një alarm. Ka pasur dhe vazhdojmë të kemi dëshpërimisht venddepozitime ilegale. Nuk po flas për ato që janë miratuar por nuk janë të standardizuara, por ka edhe venddepozitime që nuk figurojnë fare në listat e institucioneve, por janë vatra të ndotjes së mjedisit.”

Raporti citon se shpesh konstatohet që miratimi i vendgrumbullimeve nuk ka kaluar në asnjë proces vlerësimi teknik, por thjesht administrativ. Bashkitë, përballë nevojave emergjente për menaxhimin dhe depozitimin e mbetjeve, kanë miratuar me vendime të Këshillit Bashkiak, parcela kryesisht prona publike, të cilat kanë shërbyer për vite me radhë si venddepozitime të mbetjeve urbane. Si pasojë, bashkitë nuk administrojnë asnjë dokumentacion teknik: studime gjeologjike, projekte teknike, leje ndërtimi apo mjedisore në lidhje me venddepozitimet që ndodhen në territorin e tyre.

Bashmilli shton se: “Landfillet sanitare, edhe ato ku janë investuar, kanë probleme. Por më problematike është shtrirja e venddepozitimeve që nuk plotësojnë standardet për të qenë landfill sanitar. Shpeshherë ato ndodhen buzë lumenjve, ku edhe shtresat e zhavorrit krijojnë një filtrin të lartë, duke ndotur ujërat sipërfaqësore dhe nëntokësore.”

Duke u bazuar në kërkesat e bashkive, raporti ka përllogaritur se 44 vendgrumbullime duhen rehabilituar, 62 duhen mbyllur urgjentisht dhe 93 prej tyre duhen larguar. Ky ndërhyrje është përllogaritur të kushtonte rreth 870 milionë lekë, pa përfshirë kostot e transportit të mbetjeve. Megjithatë, kanë kaluar 7 vite nga miratimi i këtij raporti dhe dokumentimi i situatës së menaxhimit në vend dhe në terren nuk ka ndryshuar asgjë.

Përballë kësaj situate, institucionet kanë “mbyllur sytë”, duke lejuar paligjshmërinë që po shkakton dëme të pakthyeshme në mjedis, në shëndetin e popullatës dhe në buxhetin e vendit. Pamjet e siguruara dëshmojnë se Shqipëria vazhdon të “notojë” në mbeturina.

Flora Xhemani Baba, eksperte e mjedisit, nënvizon se: “Mjedisi është problemi ynë kryesor, të cilin askush prej nesh nuk po përpiqet ta zgjidhë. Shohim gjithashtu mbetje të vjetra, që nuk menaxhohen prej vitesh nga autoritetet lokale, por edhe mbetje të hedhura nga ne, njerëzit, qoftë në zona të frekuentuara apo edhe më pak të vizituara. Ato gjenden nëpër cepa, nëpër vrima muresh, shkëmbinj, qoshe lumenjsh, në rrjedhat e fshatrave. Sot gjen mbetje në çdo mjedis, si një shenjë e pakujdesisë sonë.”

Ministria e Mjedisit deklaron se disponojnë 10 studime fizibiliteti të hartuara në vitin 2022, sa i përket venddepozitimeve ilegale dhe josanitare. Bazuar në këto studime, pjesë e investimeve do të jenë mbyllja/rehabilitimi i venddepozitimeve të pakontrolluara, zgjerimi me qeliza të reja, mbyllja dhe kapsulimi i qelizave ekzistuese. Ndërhyrjet parashikohet të realizohen deri në vitin 2028 dhe do të sigurojnë përputhshmëri të plotë me standardet e Bashkimit Evropian.

Sipas Planit Kombëtar Sektorial për menaxhimin e mbetjeve urbane, miratuar në vitin 2020, vendi është ndarë në 10 zona të menaxhimit të mbetjeve dhe funksionojnë 7 landfille sanitare. Ministria sqaron se tre zonat e mbetjeve – Berat, Dibër dhe Kukës – ku nuk ka landfille rajonale, janë në proces dizenjimi dhe më pas ndërtimi.

Scroll to Top