Situatë e tensionuar në juglindje të Sllovenisë me komunitetin rom, 21-vjeçari rrahu për vdekje një 48-vjeçar, japin dorëheqjen dy ministrat
Dy ministra sllovenë, ai i Brendshëm dhe ai i Drejtësisë, kanë dhënë dorëheqjen pas vdekjes së një burri që u rrah nga një 21-vjeçar me origjinë rome jashtë një klubi nate në qytetin Novo Mesto. Ngjarja ka tronditur vendin dhe ka nxitur debate për sigurinë dhe marrëdhëniet ndëretnike.
Kryeministri Robert Golob pranoi dorëheqjet e Bostjan Poklukar (Ministër i Brendshëm) dhe Andreja Katiç (Ministre e Drejtësisë), të cilët thanë se po largoheshin për shkak të “përgjegjësisë objektive” ndaj përkeqësimit të situatës së sigurisë në juglindje të vendit, ku kohët e fundit është rritur dhuna që përfshin anëtarë të komunitetit rom.
Viktima, Ales Sutar, 48 vjeç, humbi jetën pasi u godit rëndë në kokë teksa tentoi të mbronte të birin, i cili po kërcënohej jashtë klubit “LokalPatriot” më 25 tetor. Një grup të rinjsh romë dyshohet se e kanë sulmuar pas mesnate, duke e lënë në gjendje kritike. Ai ndërroi jetë më vonë në spital.
Policia arrestoi disa orë më vonë një të dyshuar 21-vjeçar në shtëpinë e tij në Mihovica. Ai akuzohet për “lëndim të rëndë trupor me pasojë vdekjen” dhe rrezikon nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet burg. Sipas mediave vendase, i riu nuk ka precedentë penalë si i rritur, por është proceduar më parë si i mitur.
Kryeministri Golob reagoi duke thënë se qytetarët kanë të drejtë të ndihen të sigurt, por paralajmëroi kundër nxitjes së urrejtjes etnike.
“Njerëzit kanë të drejtë të sigurisë, dhe kjo e drejtë u shkel dje. E kuptoj që sot të gjithë ndjejnë trishtim, zemërim e frikë, është e natyrshme. Por nuk duhet ta lejojmë që dhimbja të kthehet në hakmarrje apo urrejtje, sepse kjo do të thellonte plagët dhe do të copëzonte shoqërinë,” tha ai.
Golob refuzoi thirrjet për dorëheqje, duke theksuar se kjo “do të ishte një arratisje nga përgjegjësia”, dhe premtoi masa ligjore për të parandaluar ngjarje të ngjashme në të ardhmen. Ai paralajmëroi gjithashtu kundër “përdorimit të tragjedisë për të nxitur urrejtje”, që do të “thellonte ndarjet në komunitet”.
Në vijim, kryeministri prezantoi një paketë ligjore të quajtur “Ligji Sutar”, në nder të viktimës. Projektligji parashikon që policia të ketë të drejtën të largojë menjëherë nga hapësirat publike personat me precedentë të përsëritur, të mbyllë ambientet ku nxiset dhuna, të kryejë kontrolle sigurie pa urdhër gjykate për raste që përfshijnë armë, të kufizojë ndihmën juridike dhe përfitimet sociale për recidivistët, si dhe të lejojë sekuestrimin e pasurisë që nuk justifikohet me të ardhurat e deklaruara.
Sipas ministrave që dhanë dorëheqjen, vendimi i tyre synon të qetësojë situatën dhe të tregojë përgjegjësi institucionale, ndërsa Golob theksoi se qeveria do të veprojë me vendosmëri, por pa toleruar urrejtje etnike.
