Koordinoi pastrimin e parave të një grupi kriminal, ekstradohet shqiptari nga Milano
Një shqiptar, i cili dyshohet se ka koordinuar pastrimin e parave të një grupi kriminal në Durrës, të fituara nga trafikimi i lëndëve narkotike, është ekstraduar nga Milano, Itali.
Personi në fjalë është shtetasi Erind Lasku, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe u arrestua gjatë operacionit të koduar “The Wanted”.
NJOFTIMI I POLICISË
Policia ka njoftuar se vijon bashkëpunimi i ngushtë me partnerët ndërkombëtarë në kuadër të operacionit “The Wanted”. Si rezultat i këtij bashkëpunimi të ngushtë mes specialistëve të Drejtorisë së Interpolit dhe atyre të Interpol Romës, gjatë fazës së fundit të operacionit, u finalizua procedura e ekstradimit nga Italia në Shqipëri të shtetasit E. L.
Ky shtetas kërkohej ndërkombëtarisht pasi Gjykata e Krimeve të Rënda (GJKKO) i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” në prill 2025, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”, e kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
