Analiza e DW: A do të hiqet dyshtetësia në Gjermani?
Unioni CDU/CSU po kërkon reformimin e ligjit të nënshtetësisë dhe kufizimin e shtetësisë së dyfishtë. Ata kërkojnë revokimin e pasaportave për ata persona që kërcënojnë vlerat kushtetuese të Gjermanisë. Disa politikanë të Unionit CDU/CSU kanë vënë në dyshim shtetësinë e dyfishtë edhe për personat që fitojnë shtetësinë gjermane.
“Ne si vend duhet të pyesim veten nëse ende duam nënshtetësi të dyfishtë universale dhe nëse ende mund ta përballojmë atë,” deklaroi për gazetën “Bild” deputeti në Bundestag nga radhët e CSU-së, Stefan Mayer. Ai shtoi se një “reformë themelore e ligjit të shtetësisë” është e nevojshme.
Politikani i CSU-së kërkoi gjithashtu që “banditëve, kriminelëve të rëndë, armiqve të kushtetutës, antisemitëve dhe atyre që urrejnë gjermanët” t’u hiqet nënshtetësia nëse posedojnë dy pasaporta. “Ne nuk mund t’u japim njerëzve privilegjin e nënshtetësisë dhe pastaj ata të shkelin mbi vlerat tona dhe mbi ne,” theksoi Mayer.
“Shtetësia e dyfishtë duhet të jetë përjashtim, jo rregull,” deklaroi gjithashtu për gazetën “Bild” politikania e CDU-së, Cornell Babendererde.
Përkushtim apo përfitim?
“Nëse 80 për qind e atyre që morën shtetësinë në vitin 2023 duan të mbajnë edhe pasaportën e tyre të mëparshme, së bashku me shtetësinë gjermane, atëherë duhet të pyesim veten: A nuk mjafton dashuria, identifikimi me vendin tonë në fund të fundit, apo kjo bëhet më shumë për ruajtjen e përfitimeve të garantuara nga një pasaportë gjermane?”
Në vitin 2024, rreth 292,000 persona morën shtetësinë gjermane, duke shënuar një rekord të ri dhe duke qenë 46 për qind më shumë se një vit më parë. Një në katër (28 për qind) prej tyre janë me origjinë nga Siria.
Sipas të dhënave të Entit Federal për Statistika, nga rreth 201,000 persona që kërkuan dhe morën shtetësinë gjermane në vitin 2023, 80,9 për qind mbajtën pasaportën e tyre të mëparshme, duke pasur kështu shtetësi të dyfishtë.
Qëndrimet kundër
Për ndryshimin e këtij ligji kërkohet shumica e votave të partive në pushtet. Megjithatë, Partia Socialdemokrate (SPD) ka kundërshtuar deri tani kërkesat për heqjen e dyshtetësisë apo shumështetësisë, siç thuhet në ligj. Nëse partitë e Unionit CDU/CSU duan të ndryshojnë këtë ligj, duhet të bindin edhe deputetët e SPD-së. Aktualisht, nuk ka asnjë marrëveshje në këtë drejtim.
Kohët e fundit, ligji në Gjermani është ndryshuar duke hequr mundësinë e marrjes së shtetësisë gjermane me procedurë të përshpejtuar brenda tre vitesh për “personat e integruar mirë”, siç ishte parashikuar më parë. / DW
