Europa Fiton Kohë Tregtare Pas Marrëveshjes Trump-Xi

Analiza e Politico: Europa blen kohë për aleanca tregtare pas marrëveshjes Trump-Xi

Marrëveshja mes Kinës dhe Amerikës, nga njëra anë, u jep udhëheqësve evropianë hapësirë për të gjetur një strategji për tregtinë, lëndët e para dhe Ukrainën. Nga ana tjetër, ulja e tensioneve midis SHBA-së dhe Kinës rrezikon të lërë mënjanë interesat evropiane.

Donald Trump dhe homologu i tij kinez, Xi Jinping, ranë dakord për një ulje të ndjeshme të tensioneve në mosmarrëveshjen e tyre tregtare gjatë takimit të tyre në Korenë e Jugut të enjten, duke pezulluar kontrollet e eksportit të metaleve të rralla dhe lëndëve të tjera të para kritike për 12 muaj.

Ulja e tensioneve midis SHBA-së dhe Kinës po u jep udhëheqësve evropianë hapësirë për të hartuar strategji mbi tregtinë, lëndët e para dhe luftën në Ukrainë, por ky afrim midis dy superfuqive rrezikon të lërë mënjanë interesat evropiane, sipas Politico.

Ndërsa afrimi mes dy fuqive është një lajm i mirë për kompanitë evropiane të kapura në mes të mosmarrëveshjes, pika të tjera të fërkimit në marrëdhëniet mes Evropës dhe Kinës do të jenë më të vështira për t’u zgjidhur, edhe me dhuratën e kohës shtesë.

Brukseli, nën presionin e Trump dhe duke ndjekur interesat e veta strategjike, po përpiqet – pa sukses të dukshëm – të bindë Pekinin të mos e mbështesë Rusinë në luftën e saj në Ukrainë.

Në të njëjtën kohë, BE po bën çmos për të qetësuar ngërçin e gjatë tregtar me Kinën, intensiteti i të cilit është rritur kohët e fundit me vendosjen e kufizimeve në eksportet e lëndëve të para kritike dhe mikroçipave.

Të dyja këto masa kanë pasur një ndikim të drejtpërdrejtë negativ në industrinë evropiane, veçanërisht në industrinë e automjeteve, e cila tashmë po luftonte para se të vendoseshin kufizimet.

Frika nga dëmet e përhershme dhe të pakthyeshme ndaj industrive evropiane e ka shtyrë BE-në të mbajë një qëndrim më pajtues në ngërçin tregtar, duke theksuar bashkëpunimin dhe dialogun në vend të masave ndëshkuese.

Scroll to Top