Dështon shkarkimi i kreut të Kuvendit, debate brenda opozitës

Dështon propozimi i deputetëve të PD-së për shkarkimin e kreut të Kuvendit, Niko Peleshi; 6 deputetë të opozitës shprehen kundër vendimit të Berishës për të mos votuar.

Maxhoranca ka rrëzuar propozimin e demokratëve për shkarkimin e Niko Peleshit nga posti i kryetarit të Parlamentit. Me 79 vota kundër, socialistët kanë mbajtur Peleshin në krye të Kuvendit. Një pjesë e mirë e deputetëve të opozitës nuk morën pjesë në votim, i cili u zhvillua në mënyrë të fshehtë. Partia Demokratike, e cila inicioi procesin, gjithashtu nuk mori pjesë.

Raportohet se nga opozita, 8 deputetë votuan për shkarkimin, ndërsa dy vota të tjera, që ishin pro, dyshohet se kanë ardhur nga maxhoranca.

Sali Berisha shpjegoi arsyen e mospjesëmarrjes së opozitës në votim, duke akuzuar sërish shkelje të rregullores. Sipas tij, duhej të hidheshin në votim të dy raportet, ai i PD-së për shkarkim dhe ai i PS-së kundërshtues, dhe më pas të zhvillohej votimi për shkarkimin e Peleshit. Berisha pretendon se nënkryetarja Klodiana Spahiu kaloi direkt në votim për shkarkimin pasi kishte marrë urdhër.

“Aty janë dy raporte, hidhen dy raportet dhe pastaj bëhet votimi. Këta nuk njohin rregullore, këta njohin vetëm urdhra që marrin dhe pastaj bëjnë të paditurin. E dëgjuat Peleshin se si u përpoq të mbrojë kolapsin e plotë parlamentar që ka krijuar. Ka ndodhur ndonjëherë në historinë e ndonjë Kuvendi që për 28 minuta të miratohet programi i qeverisë dhe kabineti. Ajo bëri një votim sipas urdhrit dhe e mbyllën”, tha Berisha.

Nga ana tjetër, Niko Peleshi, para votimit, akuzoi opozitën për përçarje dhe hodhi poshtë akuzat se favorizon mazhorancën, duke theksuar se opozita ka pasur 60% të kohës së fjalës në Kuvend.

“Do t’i përgjigjem shkakut të vërtetë të kësaj procedure, shkaku i vërtetë nuk jam unë, nuk është favorizimi i një krahu politik, kundër një krahu tjetër. Maxhoranca ka folur 291 minuta kundrejt 439 minutave të opozitës, pra 60% të kohës e ka patur opozita. Shkaku që na sjell në këtë procedurë është frymë antagoniste dhe përçarëse nga e cila nuk heqim dot dorë”, tha Peleshi.

Deputeti demokrat, Ivi Kaso, duke renditur shkeljet e pretenduara nga Peleshi, deklaroi se kërkojnë rikthimin e Kuvendit në bazat institucionale dhe jo ndëshkimin e personit. Ai shtoi se Peleshi, në pak javë në detyrë, nuk ka qenë garant i barazisë parlamentare, por një zgjatim i kryeministrit.

Rrjedhja e votave

Gjithsej, vetëm 10 vota ishin pro shkarkimit të Peleshit. Shumica e demokratëve po protestonin për procedurën dhe mënyrën se si u zhvillua votimi i fshehtë. Nga tabela elektronike, rezulton se 3 vota kanë rrjedhur nga maxhoranca socialiste. Në tabelën elektronike votuan vetëm 6 deputetë demokratë dhe deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi. Tre vota të tjera, me gjasë, i janë bashkuar kërkesës për shkarkim nga kampi i maxhorancës.

Nuk është hera e parë që vota të socialistëve apo aleatëve, gjatë votimeve të fshehta, shfaqin mospajtim me vendimin politik.

Sipas tabelës elektronike, nga opozita votuan Bujar Leskaj, Tritan Shehu, Luan Baçi, Ina Zhupa, Elda Hoti dhe Jorida Tabaku. Vota e shtatë ishte e Redi Muçit.

Kreu i Grupit të PS-së, Taulant Balla, iu përgjigj pretendimeve të Sali Berishës lidhur me votimin e raporteve. Balla sqaroi se raportet janë relacione shoqëruese për diskutim dhe nuk kalojnë në votim. Ai ironizoi faktin se nga 26 deputetë demokratë që firmosën kërkesën për shkarkim, vetëm 10 votuan pro.

“Sa i përket kërkesës së 36 deputetëve për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit, zoti Këlliçi dhe ju të nderuar anëtarë të PD, neni 114, pika 4 e rregullores e ka sqaruar: votohet kërkesa. Raportet janë relacione shoqëruese mbi bazën e arsyetimeve. Bazuar në nenin 60, pika 1, votimi bëhet i fshehtë. Nuk ka pasur një kërkesë dhe nuk u përmend këtu, të depozituar nga ana juaj për mënyrën e votimit, dhe për pasojë sqaroni edhe kryetarin e partisë tuaj, mos të dalë në TV që t’ja fusë kot, jo votohet raporti… Vetëm kërkesa për shkarkim votohet. Dezertimin tuaj që u mbush mali plot me rrush dhe na polli vetëm 10 vota në favor të kërkesës për shkarkim shkoni dhe mblidhni grupin, gjejeni ku ju kanë shkuar votat, nuk kanë ardhur nga ne por nuk dihet ku kanë ikur. Na vjen keq që keni humbur edhe 26 nga firmëtarët. Erdhët me 36 veta dhe sot dolët me 10, po të vinit një herë tjetër s’dihet si dilni.”, tha ai.

Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, reagoi pas rrëzimit të shkarkimit të Niko Peleshit. Bardhi deklaroi se Peleshi hyri në historinë e parlamentarizmit si Kryetari për të cilin u kërkua shkarkimi pa mbushur as një muaj në detyrë.

“Niko Peleshi mund të vazhdojë të qëndrojë në detyrë me votën e 79 memec-deputetëve, por ai vazhdon në këtë funksion si Kryevartës i Taulant Ballës, jo si Kryetar i Kuvendit të 140 deputetëve. Ai hyri tashmë në historinë e parlamentarizmit të vendit si Kryetari për të cilin u kërkua shkarkimi nga detyra pa mbushur as një muaj në detyrë. U zgjodh me 85 vota e u mbajtë në detyrë me 79 vota një muaj më vonë. Këtë arritje historike në vetëm 1 muaj mund ta ketë vetëm një funksionar kushtetues i paaftë dhe i padenjë për një detyrë të lartë shtetërore.”, tha Bardhi.

Scroll to Top