Avion i vogël rrëzohet në Nju Jork, vdes piloti

SHBA: Avion i vogël rrëzohet në Nju Jork pas përplasjes me një pemë, humb jetën piloti dhe plagoset një pasagjer

Një aeroplan i vogël u rrëzua të premten në mëngjes (31 tetor) në Qarkun Saratoga, Nju Jork, duke lënë të vdekur pilotin dhe duke plagosur një pasagjer.

Incidenti ajror ndodhi rreth orës 10:30 të mëngjesit në Wyndham Way, në qytetin Milton, pak pasi avioni u ngrit nga Aeroporti i Qarkut Saratoga aty pranë.

Zëdhënësit e Zyrës së Sherifit të Qarkut Saratoga (SCSO) thanë se avioni ra në driveway-in e një shtëpie në Wyndham Way pasi goditi një pemë, por nuk preku vetë shtëpinë.

Hetuesit thonë se avioni me katër vende, një Mooney M20E i vitit 1964, goditi një pemë para se të rrëzohej pak jashtë një shtëpie. Një nga krahët e aeroplanit u ngatërrua në pemë, ndërsa më pas rrënojat morën flakë.

Pronari i shtëpisë, John Clapper, tregoi se dëgjoi një zhurmë të fortë ndërsa punonte në kuzhinë dhe nuk kishte idenë se çfarë kishte ndodhur jashtë shtëpisë së tij.

“Shkova te dera e përparme dhe pashë një burrë duke vrapuar nëpër lëndinën time. Ai tha: ‘Aeroplani sapo u rrëzua’. Dy persona të tjerë erdhën dhe e nxorën burrin tjetër nga avioni. Ata i shpëtuan jetën,” tha Clapper për CBS6.

Sherifi i Qarkut Saratoga, Michael Zurlo, konfirmoi se pasagjeri u nxor nga avioni dhe u dërgua në Qendrën Mjekësore Albany me lëndime të rënda. Piloti, megjithatë, nuk ia doli. Identitetet e tyre nuk janë bërë të ditura.

Në zonë frynin erëra të forta me shpejtësi 64 km/orë. Banorët ishin brenda shtëpisë në kohën e rrëzimit dhe nuk u lënduan.

Scroll to Top