Atentat fatal ndaj 36-vjeçarit në Selenicë: 6 plumba në trupin e viktimës
Dalan Alliaj, 36 vjeç, është i riu që humbi jetën si pasojë e një atentati me armë zjarri të ndodhur mbrëmjen e sotme në Gjorm të Selenicës.
Sipas informacionit të dhënë nga Policia, viktima u gjet pa shenja jete nga familjarët e tij. Ai u transportua menjëherë në spitalin e Vlorës, ku fatkeqësisht u konfirmua vdekja. Gjatë ekzaminimit të trupit, janë konstatuar gjashtë plagë të shkaktuara nga armë zjarri.
Ende nuk janë zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes. Mësohet se i riu, banues në Fier, kishte shkuar në Gjorm për të vizituar djalin e xhaxhait të tij.
Njoftimi zyrtar i policisë sqaron se:
- Sot, në fshatin Gjorm, Vlorë, në rrethana ende të paqarta, shtetasi Dalan Alliaj, 36 vjeç, banues në Fier, është gjetur pa shenja jete nga familjarët e tij.
- Gjatë veprimeve paraprake dhe këqyrjes së trupit, i janë konstatuar plagë të dyshuara të shkaktuara me armë zjarri.
- Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe të gjitha veprimet hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit.
