Holanda kthen thesarin 3500-vjeçar në Egjipt

Holanda do t’i kthejë Egjiptit një skulpturë 3500-vjeçare, e cila dyshohet të jetë vjedhur 14 vjet më parë.

Një skulpturë 3.500-vjeçare do t’i kthehet Egjiptit nga Holanda, njoftoi kryeministri holandez, Dick Schoof, gjatë një takimi me Abdel Fattah al-Sisi.

Sipas burimeve, bëhet fjalë për një skulpturë që paraqet një zyrtar të lartë nga periudha e faraonit Thutmose III (1479-1425 para Krishtit).

Mendohet se ky artefakt është vjedhur dhe është nxjerrë jashtë vendit në mënyrë të paligjshme, ndoshta gjatë trazirave të Pranverës Arabe në vitin 2011, para se të shfaqej në tregun e artit.

“Ky objekt historik kulturor u sekuestrua gjatë një ekspozite arti në Maastricht në vitin 2022”, tha Schoof, pas një informimi anonim drejtuar autoriteteve mbi origjinën e paligjshme të tij.

Hetimet e autoriteteve holandeze konfirmuan se skulptura ishte plaçkitur dhe larguar në mënyrë të paligjshme nga Egjipti. Tregtari që posedonte objektin e dorëzoi vullnetarisht pas hetimeve.

Skulptura pritet të dorëzohet te ambasadori egjiptian në Holandë deri në fund të vitit.

Ky lajm bëhet publik një ditë pas hapjes së Muzeut të Madh Egjiptian, i cili ruan thesaret e vendit.

Scroll to Top