Izraeli mori eshtrat e tre pengjeve të tjerë që humbën jetën në Gaza
Zyra e Kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, njoftoi se Izraeli ka marrë tre arkivole me eshtrat e pengjeve, të cilët vdiqën gjatë robërisë në Rripin e Gazës.
“Izraeli, nëpërmjet Kryqit të Kuq, mori arkivole me eshtrat e tre pengjeve të rënë. Këto iu dorëzuan një forcë e Ushtrisë së Mbrojtjes së Izraelit (IDF) dhe Shërbimit të Inteligjencës izraelit (ISA) brenda Rripit të Gazës. Nga aty, ata do të transferohen në Izrael,” thuhet në njoftimin e zyrës së Netanyahut.
“Më pas, ata do të transportohen në Qendrën Kombëtare të Mjekësisë Ligjore pranë Ministrisë së Shëndetësisë. Pas përfundimit të procesit të identifikimit, njoftimi zyrtar do t’u dorëzohet familjeve të tyre.”
Në njoftim u shtua: “Përpjekja për kthimin e pengjeve tona është e vazhdueshme dhe nuk do të ndalet derisa të kthehet edhe pengu i fundit.”
Izraeli dhe Hamasi rifilluan bisedimet indirekte, të ndërmjetësuara nga Egjipti, Katari, Shtetet e Bashkuara dhe Turqia, për zgjidhjen e situatës në Rripin e Gazës më 6 tetor. Më 9 tetor, palët në konflikt nënshkruan një marrëveshje për zbatimin e fazës së parë të planit të armëpushimit në Gaza të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump. Armëpushimi hyri në fuqi më 10 tetor.
Më 13 tetor, Hamasi dhe grupe të tjera palestineze liruan 20 pengje të gjalla dhe dorëzuan trupat e katër pengjeve të vdekur, në kuadër të marrëveshjes së armëpushimit në Gaza. Pala izraelite shprehu pakënaqësi, pasi Hamasi ktheu vetëm katër nga 28 trupat e pengjeve të vdekur. Më vonë, Hamasi transferoi disa trupa të tjerë në Izrael.
