KPA lë në fuqi shkarkimin e gjyqtares Herila Çela

KPA lë në fuqi shkarkimin e gjyqtares Herila Çela

Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) vendosi të hënën, më 3 nëntor, lënien në fuqi të vendimit për shkarkimin nga detyra të gjyqtares Herila Çela, e cila shërbente në Gjykatën e Vlorës.

Vendimi u mor në mënyrë unanime nga trupi gjykues i Kolegjit, i cili përbëhej nga kryetarja Ina Rama, relatorja Natasha Mulaj dhe anëtarët Sokol Çomo, Albana Shtylla e Mimoza Tasi. Ky vendim u mor pas shqyrtimit në dhomë këshillimi të ankimit të subjektit ndaj vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK).

Vendimi i Kolegjit është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit kishte shkarkuar nga detyra gjyqtaren Herila Çela më 30 tetor 2023, duke përmendur probleme në lidhje me kriterin e pasurisë. Në vlerësimin e përgjithshëm, u theksua se ajo kishte cënuar besimin e publikut për shkak të përfitimit të të ardhurave nga fondet publike, nëpërmjet shoqërisë së bashkëshortit të saj.

Ndërkohë, ajo u vlerësua pozitivisht për nivelin kualifikues në aspektin e profesionalizmit dhe arriti një nivel të besueshëm për pastërtinë e figurës.

Herila Çela e nisi karrierën e saj në sistemin e drejtësisë në vitin 2003 dhe punoi për dy dekada pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë.

Vendimet e gjyqtares Herila Çela kanë qenë dy herë objekt i kërkesave të Ministrisë së Drejtësisë për procedimin disiplinor ndaj saj. Në vitin 2014, asaj i’u shqiptua masa e “vërejtje me paralajmërim”, por ky vendim u rrëzua më pas nga Gjykata Administrative e Apelit.

Scroll to Top