Përgjime: Deputeti PD, Arbi Agalliu kërkon sqarime për toka

Përgjime/ Një deputet i PD kërkonte informacion nga Belinda Balluku për tokat në Vlorë

Një pjesë e konsiderueshme e dosjes së prokurorisë për tunelin e Llogarasë përmban përgjime mes Belinda Ballukut dhe Ervis Berberit. SPAK ka siguruar këto biseda nga një celular tip “Blackberry” që ish-drejtori i rrugëve mbante në banesën e tij. Bisedat datojnë në vitin 2022 dhe disa mesazhe zbulojnë se edhe deputetë të Partisë Demokratike kërkonin zgjidhje për çështjet e tyre pranë zyrave qeveritare.

Njëri prej tyre është Arbi Agalliu, ish-deputet i Vlorës, i cili duket se kërkonte të sqarohej lidhur me toka që posedonte në Vlorë. Zëvendëskryeministrja, Belinda Balluku, udhëzon që deputeti të dëgjohet, duke e përshkruar si “djalë qytetar”. Berberi nga ana e tij, e siguron se do ta marrë në konsideratë, duke e cilësuar “patriot”.

Më poshtë janë disa pjesë nga dosja e prokurorisë:

  • Sipas aktit të ekspertimit nr.195, datë 26.09.2024, të aparatit celular “Blackberry”, model BBF10-6”, të sekuestruar shtetasit Evis Berberi, nga nxjerrja e të dhënave teknike rezultojnë komunikime mes shtetasit Evis Berberi dhe shtetasve Belinda Balluku dhe Arbi Agalliu.
  • Më datë 27.01.2022, ora 18:50: Belinda Balluku i dërgon një mesazh Evis Berberit: “Do të të marr për një takim Arbi Agalliu, dep i PD që ka dy pyetje për dy toka që ka në Vlorë, një tek bypass dhe një në hyrje të autostradës. Qëndrimi shumë i dashur, shumë i mirë se është djalë qytetar.”
  • Ora 18:51: Evis Berberi i përgjigjet: “Patjetër. E kemi patriot.”
  • Ora 18:52: Belinda Balluku shkruan: “Por ne nuk kemi ça bëjmë, te marrim lejen e ndërtimit nga bashkia, atëherë shprehemi.”
  • Ora 18:52: Evis Berberi: “Ok. Ne japim mendim pasi ka marrë leje.”
  • Më datë 31.01.2022, ora 19:19: Arbi Agalliu i dërgon një mesazh Evis Berberit: “Evisi si je? Arbi Agalliu jam! Shpresoj se je mirë. Belinda më dha nr. tënd. Kur të kesh mundësi doja të flisnim pak. Faleminderit.”
  • Ora 19:20: Evis Berberi: “Mirë, faleminderit. Kur të jemi në mbledhje më njofto.”
  • Ora 19:20: Evis Berberi telefonon Arbi Agalliun.
  • Më datë 01.02.2022, ora 08:35: Arbi Agalliu i dërgon një mesazh Evis Berberit: “Mirëmëngjes! Unë për pak jam aty. Jam në trafik poshtë digës.”
  • Ora 08:35: Evis Berberi: “Pa prob.”
  • Më datë 01.02.2022, ora 09:19: Evis Berberi i dërgon një mesazh Belinda Ballukut: “Sa përcolla Agalliun.”
Scroll to Top