Mançester Siti dhe Liverpuli, Dominuesit e Dekadës në Premier Ligë, Guardiola: Mezi po pres përballjen me skuadrën e Slotit
Pep Guardiola ka ndezur atmosferën para supersfidës së Premier Ligës, duke e cilësuar Liverpulin si “rivalin më të madh të dekadës” për Sitin. Trajneri katalanas tha se mezi pret përballjen, duke e konsideruar si një nga ndeshjet më të rëndësishme të sezonit.
Në një prononcim të bërë, Guardiola u shpreh: “Mezi po e pres ndeshjen me Liverpool. Janë rivalët tanë më të mëdhenj të dekadës.” Ai theksoi se përballjet me skuadrën e drejtuar dikur nga Jurgen Klop dhe tani nga Arne Slot kanë qenë gjithmonë vendimtare për titullin në Angli.
Guardiola shtoi se këto duele kanë ngritur nivelin e futbollit anglez dhe kanë bërë që Premier League të jetë kampionati më i fortë në botë. Mançester Siti dhe Liverpul kanë dominuar Premier Ligën në dekadën e fundit, duke ndarë shumicën e titujve mes tyre.
Rivaliteti Guardiola-Klop është konsideruar si një nga më të mëdhenjtë në historinë moderne të futbollit. Edhe pas largimit të gjermanit, Guardiola vijon dhe e sheh Liverpulin si kundërshtarin kryesor në garën për trofe.
Kujtojmë që përballja direkte luhet këtë të dielë, në orën 17:00, në “Etihad Stadium”.
