Rama pas progres-raportit të BE: Kjo qeveri nuk ikën pa e bërë Shqipërinë anëtare të BE-së, kemi bërë detyrën si për mbështetësit, ashtu edhe për kundërshtarët
Kryeministri Edi Rama dhe Ambasadori i Bashkimit Europian, Silvio Gonzato zhvilluan një konferencë për shtyp pas progres-raportit të dalë një ditë më parë nga Samiti i Zgjerimit të BE-së në Bruksel.
Në fjalën e tij, Rama u shpreh se qeveria e tij nuk do të largohet pa e bërë Shqipërinë pjesë të Bashkimit Europian. “Grupi ynë negociator ka shkëlqyer në këtë proces, sepse nuk ka vajtur në tryezën e negociatave për të mësuar aty çfarë duhet bërë, por ka qenë mirë-stërvitur gjatë epokës së poshtërimit të Shqipërisë. Sot, ne i dimë shumë mirë detyrat. Jemi i vetmi vend në rajon që përdor Inteligjencën Artificiale në këtë proces dhe falë Diellës ne bëjmë transferimin me një shpejtësi shumë të lartë të të gjithë trupit ligjor të BE-së për t’u adoptuar në trupin ligjor të Republikës së Shqipërisë.
Kryejmë me përpikmëri të gjitha ato detyrat dhe analizojmë me shumë durim të gjitha ato që janë të rreshtuara si probleme që duhen adresuar dhe duhen zgjidhur. Dua të falënderoj nga zemra të dyja ministret tona, të cilat janë realisht dy arsye të mëdha për t’u ndjerë të qetë dhe për të marrë të gjithë respektin në Bruksel. Nuk dua të zgjatem më tutje, në të gjitha fushat raporti ka edhe arritjet edhe problemet. Në të gjitha fushat raporti i thotë shqiptarëve që Shqipëria ecën vendosmërisht në drejtimin e duhur dhe nga ana tjetër na thotë neve çfarë duhet të bëjmë më shumë dhe më mirë për të ecur pa asnjë ndalesë për të arritur objektivin e vitit 2027.
Shpresoj që këtë urim ta marrin siç duhet të gjithë ata që nuk e duan këtë qeverinë, por që sot duhet të ndihen më mirë, sepse sa më pranë të jemi me BE-në, aq më shumë do të ketë përkujdesje për ta. Ndihhuni mirë të gjithë, qofshi mbështetës, qofshi kundërshtarë, sepse kjo qeveri ka bërë detyrat si për mbështetësit, si për kundërshtarët. Mbështetës dhe kundërshtarë të qeverisë jemi në kohë të ndryshme sipas qeverive. Kjo e jona nuk shkon pa sjellë BE-në në Shqipëri dhe pa e bërë Shqipërinë pjesë të BE-së”, tha Rama ndër të tjera.
Kryeministrit Edi Rama iu dorëzua raporti i progresit të Shqipërisë nga ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato. Kreu i qeverisë e përshkroi raportin si një gotë e mbushur përgjysmë, ndërsa theksoi se fokusi do të jetë te gjysma bosh në mënyrë që brenda vitit 2027 të përmbyllet ky proces.
Ndër të tjera Rama u shpreh se ndihet krenar që më në fund Shqipëria është shembulli pozitiv që u jepet vendeve të tjera që duan të bëhen pjesë të BE-së. “Ky raport thotë shumë gjëra, por mbi të gjitha thotë një gjë: që Shqipëria është në rrugën e duhur për të përmbyllur teknikisht negociatat brenda vitit 2027. Duke thënë këtë, raporti i ka thënë të tëra. Ndërkohë që patjetër, në këtë rrugë të duhur ka sfida në çdo hap. Sfida dhe çështje për t’u adresuar jo vetëm në sasi, por edhe cilësore në çdo hap. Raporti i progresit është një gotë e mbushur përgjysmë: ajo që kemi bërë dhe ajo që do bëjmë, është që duke marrë të gjithë energjinë e nevojshme nga gjysma plot, të fokusohemi tek gjysma bosh, në mënyrë që brenda vitit 2027 ta përmbyllim këtë proces. Ky është objektivi historik, kjo është ambicia jonë. Jam krenar që askush nuk harron të thotë që Shqipëria është në pararojë të këtij procesi bashkë me Malin e Zi. Më në fund Shqipëria është shembulli pozitiv që u jepet vendeve të tjera që duan të bëhen pjesë e BE-së. Ky është raporti për mua. Ne kemi kryer në një kohë rekord hapjen e pesë grupkapitujve. Besoj që do të kryejmë edhe hapjen e grupkapitullit të gjashtë dhe do ta mbyllim vitin me kapitujt e hapur. Ka ardhur si rezultat i faktit që dëshiroj ta sjell në vëmendje: në vitet e poshtërimit, ato vite kur na jepte Komisioni, por na i refuzonte Këshilli; kur Komisioni rekomandonte hapjen e negociatave, e Këshilli nuk arrinte dot t’i hapte, ne kemi qenë duke u përgatitur për ditën kur negociatat do të hapeshin”, tha Rama.
Gjatë konferencës së përbashkët me ambasadorin e Bashkimit Europian në Tiranë, kryeministri Edi Rama komentoi qëndrimin e shefes së zgjerimit të BE-së, Marta Kos. I pyetur nga Top Channel, Rama tha se në fakt, që shtetet e reja anëtare të BE-së mund të vendosen në një periudhë prove për disa vite, ka qenë ide e tij, e shprehur prej kohësh.
Top Channel: Z.kryeministër, Marta Kos ka dhënë intervistë ditën e djeshme për Financial Times, ku thotë që shtetet e reja anëtare mund të vendosen në periudhë prove. Si ju duket kjo ide?
Edi Rama: Do lutesha përpara se ta merrni për mungesë modestie, t’i referoheshit arkivave tuaja. Këtë ide e kam hedhur vetë shumë herë më përpara e kam përsëritur, dhe i qëndroj kësaj ideje. Nuk e kam shpikur unë edhe pse e kam hedhur unë në publik. Është ide që i ka rrënjët shumë thellë në historinë e mendimit europian. Qasje që iu jep mundësi të dyja palëve të marrin atë që duan, pa krijuar problem për miratim. Ne duam të ulemi në tryezë si të barabartë. Duam akses të plotë në të gjithë ngrehinën e Bashkimit Europian. Ata duan të njëjtën gjë. Sot si ballkanas jemi më të qetë, kjo është një arsye e mjaftueshme për të gjetur një rrugë të ndërmjetme pozitive për të dyja palët. I kemi bërë propozimet konkrete, kjo nuk ka nevojë të bëhet me ndryshime traktatesh. Thjesht me marrëveshje. Pas më një marrëveshje ne ulemi ne tryezë. E rëndësishme mos te kemi veton dhe ata të mos tremben nga vetoja jonë.
