FIFA dënon Serbinë pas ndeshjes me Shqipërinë, stadium i mbyllur

FIFA merr vendim drastik pas ndeshjes Serbi-Shqipëri, Federata Heq Dorë nga Tifozët: Nuk i Marrim Përsipër

Federata e Futbollit të Serbisë është dënuar pas ndeshjes kundër Shqipërisë, për shkak të sjelljeve të tifozëve. Si pasojë, federata është gjobitur me rreth 85 mijë franga zvicerane. Për më tepër, në ndeshjen kundër Letonisë, e cila do të luhet në Leskovac, 25% e stadiumit do të jetë e mbyllur.

Federata serbe ka vendosur të mos marrë përgjegjësi për tifozët në ndeshjen e ardhshme kundër Anglisë, e cila do të zhvillohet në stadiumin “Wembley”. Ky vendim vjen si pasojë e pritshmërisë së sjelljeve të ngjashme nga ana e tifozëve gjatë ndeshjeve jashtë fushës.

NJOFTIMI I FEDERATËS:

“Komiteti Disiplinor i FIFA-s ka marrë një vendim në lidhje me ndeshjen kualifikuese të Botërorit 2026 midis ekipeve kombëtare të Serbisë dhe Shqipërisë, e luajtur më 11 tetor 2025. Federata e Futbollit e Serbisë është gjobitur me 87,500 franga zvicerane për sjellje të papërshtatshme nga tifozët gjatë këndimit të himneve kombëtare dhe sjellje diskriminuese nga një pjesë e publikut gjatë ndeshjes. Përveç kësaj, vendimi përfshin mbylljen e pjesshme të të paktën 25% të kapacitetit të tribunave (kryesisht pas portave) në ndeshjen e ardhshme të ekipit kombëtar serb, në kuadër të garave të FIFA-s, kundër Letonisë në Leskovac.

Duke marrë parasysh përvojat e kaluara dhe miliona gjobat e paguara jo vetëm kur ndeshjet luhen në fushën tonë, por edhe për shkak të incidenteve në ndeshjet jashtë fushe, Federata e Futbollit e Serbisë nuk do të marrë përsipër shitjen e organizuar të biletave për sektorin jashtë fushe në stadiumin ‘Wembley’, as nuk do të jetë përgjegjëse për sjelljen e tifozëve në ndeshjen e ardhshme me ekipin kombëtar të Anglisë. Federata e Futbollit e Serbisë u bën thirrje të gjithë tifozëve të respektojnë rregulloret dhe parimet e lojës së ndershme, si dhe të ndihmojnë ekipin kombëtar me mbështetjen e tyre në një frymë sportive dhe pa incidente”, shkruan federata serbe.

Scroll to Top