Dumani i përgjigjet Berishës për akuzat e SPAK ndaj Ballukut

Dumani i përgjigjet Berishës për dosjen e SPAK ndaj Ballukut: Nuk e kam kërcënuar prokurorin Prençi për të mos vazhduar hetimet, është zot i çështjes së tij

Altin Dumani ka rrëzuar akuzat e Sali Berishës, i cili pretendonte se kreu i Prokurorisë së Posaçme ka intimiduar prokurorin Dritan Prençi, për të mos vazhduar hetimet ndaj zv/kryeministres Belinda Balluku. Kjo e fundit akuzohet për shkelje të barazisë në tenderin për tunelin e Llogarasë.

Në një intervistë për RTSH 1, Dumani theksoi se prokurorët e posaçëm janë “Zot” të çështjeve të tyre dhe puna e tyre nuk mund të diktohet, devijohet apo manipulohet. Kreu i SPAK shtoi se prokurori Prençi nuk i ka shprehur asnjë shqetësim lidhur me çështjen e Ballukut.

“Nuk i komentoj deklaratat politike, por theksoj se prokurorët e posaçëm janë të pavarur dhe zot të çështjes. Si drejtues i SPAK, kam ofruar mbështetjen time dhe solidaritetin tim për prokurorin e çështjes, sa herë ka qenë e nevojshme ndihma ime. Në rastin konkret, asgjë nuk qëndron, nuk është e vërtetë. Prokurori Prenci ka mbështetjen time për këtë çështje dhe të tjera,” – tha Dumani.

Dumani e cilësoi njoftimin publik të SPAK-ut, bërë më 31 tetor për të sqaruar arsyen e paraqitjes së Ballukut në prokurori, si konform ligjit dhe procedurialisht korrekt. Ai nënvizoi se qëllimi kryesor është ruajtja e integritetit të hetimit dhe mosdëmtimi i tij, duke marrë në konsideratë edhe të drejtat e subjektit të akuzuar.

Kreu i SPAK deklaroi gjithashtu se ka pasur plane për atentate ndaj prokurorëve të SPAK. Ai shpjegoi se ekzistojnë metoda të ndryshme për të transmetuar kërcënime, duke përfshirë kërcënime me jetë apo plane për atentate ndaj prokurorëve dhe familjarëve të tyre. “Krimi i organizuar është shumë i sofistikuar,” – u shpreh Dumani.

Altin Dumani bëri të ditur se nga viti 2020, SPAK ka sekuestruar mbi 330 milionë euro për pastrim parash. Ai shtoi se SPAK ka rritur vlerën e pasurive të konfiskuara dhe sekuestruara, duke arritur mbi 300 milionë euro nga viti 2020 deri në vitin 2024, shifër që, sipas tij, tejkalon nivelin e konfiskimeve në vendet e rajonit. Dumani theksoi gjithashtu se paratë e pista janë investuar në turizëm.

Scroll to Top