Kombëtarja në horizont, Dinamo furnizon Shqipërinë dhe Kosovën
Kampionati do të ndërpritet për një javë në mesin e muajit nëntor, për shkak të ndeshjeve të kombëtareve.
Shqipëria do të përballet me Andorrën dhe Anglinë. Për këto dy takime, pritet që Naser Aliji të jetë sërish pjesë e “kuqezinjve”. Mbrojtësi nga Kumanova, megjithëse ka qenë i dëmtuar, fakti që është rikuperuar mund ta bindë trajnerin Silvinjo që ta ketë sërish në planet e tij.
Ndërkohë, Klevi Qefalija vijon të jetë në listën e pritjes. Mesfushori po ndiqet prej javësh nga stafi teknik i Kombëtares dhe për të do të ketë një vend në listën e pritjes.
Ftesë zyrtare ka marrë Hekuran Berisha, i cili do të përfaqësojë Kosovën U21. Pavarësisht se me Dinamon nuk po aktivizohet mjaftueshëm, stafi teknik i Kosovës U21 ka besim te aftësitë e tij.
Me stafin e Shqipërisë do të bashkohet edhe Ilir Bozhiqi, i cili prej shumë vitesh mban postin e trajnerit të portierëve te “kuqezinjtë”.
Burimi: PANORAMASPORT.AL
