Mitaj bind plotësisht Konseisaon, vlerësohet si lojtari më i mirë në ndeshjen kundër Manajt në Champions-in aziatik
Mario Mitaj është kthyer në protagonist absolut te skuadra e Al Itihad. Pas një fillimi të vështirë me klubin, ku u la shpeshherë jashtë skuadre për shkak të numrit të të huajve, Mitaj duket se e ka bindur trajnerin Konseisao për të qenë titullar.
Mbrojtësi i Kombëtares luajti titullar në ndeshjen mes Al Itihad dhe Al Sherjah, e vlefshme për Ligën e Kampioneve aziatike, duke marrë edhe vlerësime maksimale në fitoren 3-0.
Platforma “Flashscore” e ka vlerësuar Mitajn me notën 7.6, duke e konsideruar edhe lojtarin më të mirë të ndeshjes. Kundërshtarë të tij në këtë sfidë ishin shqiptarët Rei Manaj dhe Feta Fetai.
Të dy lojtarët shqiptarë u aktivizuan në pjesën e dytë, me Manajn që hyri në fushë në minutën e 75-të, ndërsa Fetai në minutën e 85-të, por pa mundur të ndryshojnë fatet e ndeshjes.
Vetëm pak ditë më parë, Mitaj u vlerësua sërish lart, duke arritur të shënojë edhe gol në një barazim dramatik 4-4.
