Reforma në Drejtësi: Italia Miraton Modelin Shqiptar

Xhafaj: Italia miratoi reformë në drejtësi, sipas modelit shqiptar

Deputeti Fatmir Xhafaj deklaroi sot në Kuvend se Italia, me reformën e fundit që ka bërë në sistemin e drejtësisë, ka ndjekur modelin shqiptar të ndarjes së saj në dy këshilla të veçantë.

“Disa kolegë, duke u nisur nga motive dhe interesa të ndryshme, kanë pretenduar se reforma e vitit 2016 ka dështuar ose se disa zgjidhje institucionale, si ndarja në dy këshilla – Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë – ishin të gabuara. Madje, në seancën e kaluar u përmend edhe reforma e miratuar së fundmi në Itali si një shembull që ne duhet ta ndjekim! Por faktet flasin krejt ndryshe!”, u shpreh Xhafaj.

Ai shtoi: “Italia, pas një debati që zgjati tre dekada, vetëm para një jave ka miratuar një reformë kushtetuese që përkon pothuajse plotësisht me modelin shqiptar të vitit 2016. Edhe Italia po ndan sot sistemin e qeverisjes së drejtësisë në dy këshilla të veçanta: një për gjyqësorin dhe një për prokurorinë – me përbërje të përzier nga magjistratë dhe jo-magjistratë, pra pothuajse me të njëjtin koncept institucional që ne vendosëm tetë vite më parë”.

Deputeti socialist, i cili drejtoi Komisionin e Posaçëm të Reformës në Drejtësi, theksoi se ky zhvillim në Itali konfirmon se arkitektura shqiptare e drejtësisë ka qenë e mbështetur në një vullnet dhe vizion të qartë, si dhe në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare.

“Debati i zhvilluar në Italinë fqinje, argumentet e sjella atje dhe, në fund, vetë miratimi i atij projekti, provojnë, edhe përmes shembullit më të ri të Italisë, një ndër vendet më me peshë në BE, se ne kishim shumë të drejtë në zgjidhjet e dhëna, se arkitektura e re e sistemit është në standardet e kohës dhe se modeli ynë është tashmë një eksperiencë e mirë jo vetëm për vende të ngjashme me ne, por edhe për vende shumë më të përparuara, me demokraci dhe shtet të së drejtës të konsoliduar si Italia.

Prandaj, e kam thënë dhe e ritheksoj, arkitektura institucionale e sistemit e dizenjuar nga reforma në drejtësi është në përputhje me standardet më të mira europiane. Në bindjen time, problemet dhe sfidat që ka sot sistemi nuk lidhen drejtpërdrejt me projektin kushtetues apo ligjet themelore të reformës, por me zbatimin praktik të tyre, me cilësinë e menaxhimit dhe kulturën institucionale brenda vetë sistemit”, përfundoi Fatmir Xhafaj.

Scroll to Top