Izraeli mban dhjetëra palestinezë në një burg nëntokësor ku ata përballen me kushte çnjerëzore
Dhjetëra palestinezë nga Gaza po mbahen nga Izraeli në burgun nëntokësor Rakefet, një strukturë pa dritë natyrale. Të burgosurit raportojnë mungesë ushqimi, izolim total dhe keqtrajtime të rënda, sipas avokatëve të Komitetit Publik Kundër Torturës në Izrael (PCATI).
Midis të ndaluarve janë një infermier 34-vjeçar dhe një 18-vjeçar, të cilët janë mbajtur për muaj të tërë pa akuza apo gjyq. Ata rrëfejnë se janë dhunuar, torturuar, dhe kanë vuajtur nga mungesa e ajrit dhe ushqimit.
Burgu Rakefet, fillimisht i hapur në vitet ’80 për kriminelë të rrezikshëm dhe më pas i mbyllur si “çnjerëzor”, u riaktivizua në vitin 2023 me urdhër të ministrit të ekstremit të djathtë Itamar Ben-Gvir, pas sulmeve të 7 tetorit. Aktualisht, aty mbahen rreth 100 të burgosur, ndonëse kapaciteti fillestar ishte vetëm për 15 persona.
Avokatët që vizituan qelitë përshkruajnë kushte ekstreme: vendosja nëntokë, mungesa e dritareve, ajri i rëndë, qeli të ndyra dhe mbikëqyrje e vazhdueshme. Të burgosurit dalin vetëm për disa minuta në ditë dhe nuk kanë asnjë kontakt me familjet e tyre.
PCATI e cilëson mbajtjen e tyre si një shkelje të rëndë të ligjit ndërkombëtar humanitar, duke theksuar se privimi nga drita e diellit dhe ushqimi përbën një formë torturë.
Shërbimi i Burgjeve të Izraelit ka deklaruar se “vepron sipas ligjit”, por nuk ka ofruar komente specifike lidhur me identitetin dhe trajtimin e të ndaluarve në Rakefet.
