Zgjedhjet në Kosovë, Kurti voton dhe shpjegon vizitën e tij në Mitrovicën e Jugut
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka hedhur votën në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë komunash, i cili sot zhvillohet për Prishtinën dhe 17 komuna të tjera. Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në votim dhe të zgjedhin udhëheqësin e tyre komunal.
“Është një ditë e rëndësishme për demokracinë dhe vullnetin e lirë. Republika e Kosovës po mbanë zgjedhjet e raundit të dytë për 18 komuna të vendit. U bëj thirrje të gjithë qytetarëve me të drejtë vote që të shfrytëzojnë këtë mundësi dhe të jenë pjesëmarrës e vendimmarrës për kryetarët e komunave, dhe rrjedhimisht për katër vitet e ardhshme, si banorë të komunave të Republikës. Të gjitha përgatitjet janë bërë mirë nga Komisioni Qendror Zgjedhor, si dhe nga të gjithë komisionerët dhe vëzhguesit që tashmë ndodhen në qendrat e votimit”, tha Kurti.
Ai u pyet gjithashtu për arsyen e qëndrimit të tij në Mitrovicën e Jugut një natë më parë. Kurti u shpreh se zgjedhjet komunale janë po aq të rëndësishme sa zgjedhjet qendrore.
“Gjatë kësaj fushate kam punuar me tre turne, duke udhëtuar nëpër të gjitha komunat e Kosovës dhe jam përpjekur të vëzhgoj përgatitjet për zgjedhje. Kjo sepse zgjedhjet lokale, komunale, nuk janë më pak të rëndësishme se ato qendrore, duke qenë se qytetarët e Republikës janë edhe banorë të komunave. Është tepër e rëndësishme për mirëqenien, dinjitetin dhe cilësinë e jetesës së tyre se çfarë kryetarësh komunash do të kenë”, tha Kurti.
