Ligji për Barazinë Gjinore në Shqipëri: Tani ta shohim të vihet në zbatim
Miratimi i ligjit të rishikuar për barazinë gjinore nga parlamenti shqiptar javën e kaluar ishte një hap historik dhe një përparim për të drejtat e njeriut në vend. Ky miratim, pavarësisht reagimeve në media dhe shoqëri, dërgon një mesazh të qartë se barazia gjinore është e domosdoshme, jo një privilegj, por një e drejtë themelore për të gjithë.
Megjithatë, deri më tani, pak janë ata që kanë trajtuar çështjen e funksionimit praktik të ligjit. Suksesi i tij varet jo vetëm nga dispozitat ligjore, por edhe nga perceptimi dhe kuptimi i tij nga shoqëria.
Teknologjia e re ka sjellë mjete të shpejta komunikimi dhe qasje më të gjerë në informacion, por edhe sfida të panjohura. Sot, njerëzit mund të përhapin informacione të rreme me shpejtësi të jashtëzakonshme, duke manipuluar fakte apo duke i nxjerrë jashtë kontekstit përmes mediave online dhe rrjeteve sociale. Ka pasur një valë të konsiderueshme dezinformimi rreth ligjit për barazinë gjinore, e cila shtrembëron perceptimin e shoqërisë për legjislacionin dhe rëndësinë e vetë barazisë.
Një shembull i qartë është përhapja online e lajmeve që e paraqesin ligjin si një instrument që do të krijojë gjini të reja – shtatë ose më shumë, në varësi të nivelit të ekzagjerimit. Po kështu, është përhapur dezinformim se ligji do të ndryshojë rolet gjinore apo do të rregullojë emocionet njerëzore, pa asnjë bazë në përmbajtjen e vërtetë të tij. Kjo ndikon drejtpërdrejt në opinionin publik, veçanërisht tek ata që nuk kanë akses të mjaftueshëm në informacion të saktë, duke shkaktuar paragjykime, frikë dhe rezistencë.
Prandaj, edukimi mediatik dhe ai publik janë urgjentisht të nevojshme. Shoqëria duhet të mësojë të dallojë dezinformimin nga informacionet e sakta dhe të kuptojë motivet pas tyre. Informacioni i manipuluar shpesh përdoret nga grupe të caktuara për të ndikuar opinionin publik, duke përdorur terma si “shkatërrimi i familjes” apo “vlerat morale dhe kombëtare” – narrativa globale me qëllim mbrojtjen e interesave politike, ekonomike dhe të grupeve të privilegjuara. Pa këtë lloj edukimi, njerëzit mbeten të pambrojtur ndaj përmbajtjeve të manipuluara që përforcojnë stereotipet gjinore dhe pabarazinë.
Kjo lloj dezinformimi duket edhe rreth shprehjes “stereotipe gjinore”, pavarësisht se koncepti është shpjeguar gjerësisht në Shqipëri që nga vitet 1990, përmes ndërgjegjësimit dhe fushatave edukative.
Krijimi i një kulture respekti dhe drejtësie
Ligji për Barazinë Gjinore synon jo vetëm zbatimin e barazisë në organet e zgjedhura dhe në vendin e punës, por edhe krijimin e një kulture respekti dhe drejtësie. Ky aspekt është manipuluar nga kundërshtarët, të cilët pretendojnë se kjo do t’u japë mundësi personave transeksualë dhe me identitete të ndryshme gjinore të kërkojnë më shumë të drejta.
Në fakt, përdorimi i gjuhës me ndjeshmëri gjinore në dokumentet zyrtare, media dhe institucionet publike ndihmon në sfidimin e stereotipeve dhe paragjykimeve gjinore. Po kështu, edukimi për barazinë gjinore në shkolla dhe arsimin profesional synon t’u japë brezave të rinj një kuptim të qartë të barazisë dhe respektit për të drejtat e të tjerëve.
Në epokën e sotme, ku inteligjenca artificiale mund të krijojë lehtësisht përmbajtje manipuluese, rreziku që njerëzit të bien pre e dezinformimit është i madh. Ngjarjet rreth miratimit të ligjit të ri e vërtetuan këtë. Titujt bombastikë dhe alarmues, të publikuar nga disa faqe interneti, janë një shembull se si informacioni i rremë mund të përhapet. Lajmet e rreme qarkullojnë me shpejtësi, duke e bërë të vështirë për përdoruesit të dallojnë të vërtetën.
Pikërisht për këtë arsye, edukimi mediatik dhe ligjor janë thelbësorë. Qytetarët duhet të mësojnë si të verifikojnë informacionin, të kuptojnë kush qëndron pas mesazheve alarmuese dhe pse, si edhe të jenë skeptikë ndaj lajmeve që marrin. Media gjithashtu ka nevojë urgjentisht të mbrojë etikën dhe standardet gazetareske, duke shmangur kulturën e “zgjidhjeve të shpejta” dhe dezinformimit.
Ndikimi i grupeve dhe individëve që përhapin informacion të rremë nuk duhet nënvlerësuar. Nevojiten ndërgjegjësim dhe angazhim qytetar, pasi ekziston rreziku që paragjykimet të forcohen mes rezistencës ndaj ndryshimeve që sjell ligji.
Megjithatë, ligji i ri nuk është thjesht një akt ligjor, por një mekanizëm nga i cili shoqëria do të përfitojë realisht. Shoqëria duhet të kuptojë se barazia gjinore nuk është një ideologji, por një e drejtë themelore e njeriut, e mbrojtur nga kushtetuta dhe e detyrueshme për zbatim sipas marrëveshjeve ndërkombëtare. Ligji i ri nuk krijon gjini të reja, nuk ndryshon biologjinë njerëzore dhe nuk ndërhyn në jetën familjare. Ai thjesht forcon të drejtat e grave dhe burrave dhe mbron çdo grup shoqëror nga diskriminimi, duke kërkuar që institucionet publike dhe private të zbatojnë parimet e barazisë.
Ligjet në Shqipëri janë përgjithësisht të mirëhartuar, por shpesh zbatimi i tyre i plotë në praktikë është i rrallë dhe i vështirë. Prandaj, zhurma online rreth ligjit të ri nuk duhet të jetë në qendër të diskutimit. Përkundrazi, të gjithë ne si shoqëri duhet të ngremë zërin, të angazhohemi dhe të kërkojmë që legjislacioni të zbatohet dhe të drejtat e njeriut të bëhen pjesë e jetës sonë të përditshme. Nuk ka kuptim të bëhen diskutime të pafundme për të drejta që duhet të ishin tashmë të garantuara.
Tërë kjo energji duhet të përqendrohet te llogaridhënia, monitorimi, ofrimi i informacionit dhe krijimi i nismave konkrete për të garantuar që ligjet të mos mbeten vetëm në Fletoren Zyrtare, por të funksionojnë për ne në jetën reale.
Ines Xhelili është drejtoreshë ekzekutive e Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri (AWEN).