Arrestohet 49-vjeçari në Gjermani, planifikonte atentate ndaj Merkel e Scholz

Planifikonte atentate ndaj Merkelit dhe Scholz, arrestohet 49-vjeçari në Gjermani. Kishte krijuar organizatë kriminale me “darknet”.

Prokuroria Federale në Gjermani njoftoi arrestimin e një personi, që dyshohet se i përket organizatës “Qytetarët e Rajhut” dhe planifikonte atentate ndaj politikanëve. Këta politikanë përfshijnë ish-kancelarët Olaf Scholz dhe Angela Merkel, sipas informacioneve të ARD, SWR, n-tv dhe Der Spiegel.

Sipas dy rrjeteve publike gjermane, 49-vjeçari, i arrestuar mbrëmjen e së hënës në Dortmund, përpiqej kohët e fundit të organizonte sulme përmes “darknet-it”. Në faqen e internetit që kishte krijuar, me emrin “Politika e Vrasjeve”, i dyshuari shpjegonte planin e tij. Fillimisht, ithtarët e tij duhej të dhuronin para në kriptomonedha, si “shpërblim për kapje”, për profesionistë që më pas do të merrnin përsipër vrasjen e politikanëve “kundërshtarë”.

Autoritetet e trajtojnë çështjen si “plan financimi kriminal të terrorizmit” dhe për këtë përgjegjësinë e ka marrë prokurori i përgjithshëm federal Jens Rommel.

Siç transmeton ARD, i arrestuari njihej nga autoritetet që nga viti 2020, kur si anëtar i Qytetarëve të Rajhut, organizatë që nuk e njeh shtetin gjerman, mori pjesë në protesta kundër masave kufizuese të pandemisë. Aktivitetet e tij të fundit në darknet u zbuluan nga Shërbimi Federal për Mbrojtjen e Kushtetutës.

Martin Sh., raporton rrjeti privat n-tv, është gjermano-polak dhe kishte publikuar në faqen e tij “dënime me vdekje” që vetë i kishte shqiptuar, informacione për “të dhëna personale sensitive” të viktimave të mundshme, si dhe udhëzime për ndërtimin e eksplozivëve. Sipas Spiegel, lista e “të dënuarve me vdekje” përfshinte më shumë se 20 emra politikanësh, ndër ta ish-kancelarët Olaf Scholz dhe Angela Merkel, si dhe ish-ministra federalë.

Siç thekson revista, termi Assassination Politics i referohet tekstit të aktivistit radikal amerikan antiqeveritar Jim Bell, i cili në vitet ’90 argumentonte në favor të një tregu hipotetik online përmes të cilit mund të financoheshin anonimish vrasje të zyrtarëve qeveritarë të korruptuar.

Scroll to Top