Protestë në Beograd kundër projektit të Kushnerit

Protestë në Beograd kundër projektit të dhëndrit të Trump

Mijëra protestues u mblodhën rreth ish-komandës ushtarake në Serbi për të kundërshtuar një ligj të ri që përshpejton transformimin e këtij kompleksi në një qendër luksoze, të dhënë me koncesion kompanisë investuese të themeluar nga Jared Kushner, dhëndri i ish-presidentit amerikan Donald Trump.

Protesta në kryeqytetin Beograd u bashkua me një seri demonstratash antiqeveritare, të cilat filluan para një viti pas shembjes së çatisë së një stacioni hekurudhor, ngjarje në të cilën humbën jetën 16 persona, raporton N1.

Deputetët në Kuvendin e Serbisë miratuan ligjin që mundëson procedura administrative më të shpejta për kompaninë e Kushnerit, Affinity Global Development, për të ndërtuar një hotel, apartamente, dyqane dhe zyra në vendin e ish-shtabit të Ushtrisë Popullore Jugosllave. Disa politikanë opozitarë argumentuan se ligji bie ndesh me kushtetutën, por shumica qeverisëse e miratoi atë pa ndryshime, duke theksuar rëndësinë e tij për marrëdhëniet e mira me Shtetet e Bashkuara.

Pavarësisht protestave, Qeveria e Serbisë, në nëntor të vitit të kaluar, hoqi statusin e “trashëgimisë kulturore të mbrojtur” nga kompleksi ushtarak i vjetër. Jared Kushner, bashkëshort i Ivanka Trump, themeloi Affinity Global Development pasi u largua nga detyra e këshilltarit në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2021.

Scroll to Top