Shqipëri-Itali: Mbledhje e Përbashkët Historike për Bashkëpunim

Nesër mbledhje e përbashkët mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane.

Për herë të parë, nesër do të zhvillohet një mbledhje e përbashkët mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane, një takim që shënon nivelin më të lartë të bashkëpunimit mes dy shteteve.

Takimi do të mbahet në Romë, destinacion tradicional italian për takime dypalëshe.

Shqipëria dhe Italia kanë një numër të madh marrëveshjesh të nënshkruara dhe projektesh të zhvilluara së bashku, në fusha të tilla si mbrojtja, shëndetësia, teknologjia, infrastruktura, ekonomia, si dhe mbështetja për Shqipërinë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Në fund të muajit tetor, qeveria miratoi në parim një marrëveshje bashkëpunimi me Italinë për të paktën 10 sektorë. Kjo marrëveshje pritet të nënshkruhet mes Kryeministrit Edi Rama dhe homologes së tij italiane, Giorgia Meloni.

Dhjetë ministra të Qeverisë shqiptare, së bashku me Kryeministrin Edi Rama, do të udhëtojnë drejt Romës.

Në orën 11:40 është parashikuar takimi mes Edi Ramës dhe Kryeministres së Italisë, Giorgia Meloni. Në orën 12:30 do të nisë mbledhja e përbashkët me pjesëmarrjen e delegacioneve të të dy vendeve. Rreth orës 14:00 pritet nënshkrimi i disa marrëveshjeve dhe memorandumeve në fusha si:

  • Mbrojtja dhe siguria
  • Energjia
  • Migracioni
  • Mbrojtja civile
  • Shëndetësia
  • Mjedisi
  • Zhvillimi ekonomik dhe infrastruktura

Të paktën 5 ministri do të firmosin marrëveshje bashkëpunimi me Italinë:

  • Ministria e Brendshme
  • Ministria e Mbrojtjes
  • Ministria e Shëndetësisë
  • Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme (MEPJ) – një marrëveshje për cybersecurity
  • Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë – marrëveshje financimi për rrjetin elektrik të veriut

Marrëdhëniet e afërta mes Shqipërisë dhe Italisë datojnë prej kohësh, ndërsa një sërë bashkëpunimesh kanë zgjeruar spektrin e ndërveprimit mes tyre. Italia ka zhvilluar edhe mbledhje të tjera të përbashkëta me vende anëtare të BE-së, por është hera e parë që do të ulet në një tryezë të përbashkët me një shtet jashtë Bashkimit Europian.

Scroll to Top