Partia Demokratike kërkon paraqitjen e ministres Belinda Balluku dhe bllokon prezantimin e Buxhetit për vitin 2026.
Mbledhja e Komisionit për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm u zhvillua mes debatimesh të forta, pasi në rend dite ishte shqyrtimi i projektbuxhetit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për vitin e ardhshëm.
Ministrja Belinda Balluku nuk ishte e pranishme në seancë. Në vend të saj, prezantimin e bëri zëvendësministrja. Ky vendim shkaktoi një reagim të ashpër nga kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi.
Bardhi kërkoi që ministrja të paraqitej vetë, duke theksuar se ajo nuk mund të shmangë përgjegjësinë publike. Për shkak të përplasjeve mes anëtarëve të mazhorancës dhe opozitës, kryetarja e Komisionit, Anila Denaj, vendosi pezullimin e mbledhjes.
Duke cituar nenin 80 të rregullores, Gazment Bardhi u shpreh: “Buxheti ka procedurë të veçantë për shqyrtimin në Komisione. Rregullohet nga një kapitull i veçantë dhe kërkon prezencën e ministrit përgjegjës. Do të duhet të miratojmë në parim buxhetin dhe fondet që do i japim ministrisë përkatëse. Ministrja duhet të vijë këtu dhe të na bindë se pse duhet t’i besojmë menaxhimin e këtij buxheti, kur me fakte dhe prova është konstatuar se me një projekt janë vjedhur 50 milionë euro. Për ju kjo mund të mos jetë as e rëndë dhe as e pazakontë. Ministrja nuk duhet të fshihet, duhet të vijë në komision dhe të japë llogari. Ju kërkoj të thërrisni ministren të prezantojë buxhetin. Nëse ka kurajë të vijë dhe të përballet me Kuvendin, është çështje e saj personale, ne e kërkojmë për çështje institucionale. Fshihet si kriminele, si e pandehur, duhet të japë llogari pavarësisht se nuk është e pandehur.”
